Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe zv.presidenti JD Vance shprehën pasiguri lidhur me shanset për arritjen e një marrëveshjeje të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Mendoj se e dimë se ku ndodhet Ukraina dhe e dimë se ku ndodhet Rusia tani… Ato janë më afër, por ende larg njëra-tjetrës, u shpreh Rubio për Fox News.
Ndërkaq, duke folur në një intervistë të veçantë për të njëjtin rrjet, Vance shkoi më tej, teksa theksoi se “lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti”. Rubio vuri në dukje se nëse së shpejti nuk ka përparim të vërtetë në luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Donald Trump duhet të vendosë se sa kohë do t’i kushtojë procesit të negociatave.
Më herët, Amerika ka paralajmëruar se negociatat kanë hyrë në një fazë “kritike” dhe se mungesa e përparimit mund të nënkuptojë tërheqjen e Uashingtonit nga përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e konfliktit. Javën e kaluar, Rubio u shpreh se ndonëse është shënuar “përparim i vërtetë” në bisedimet për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, “hapat e fundit në këtë udhëtim gjithmonë do të ishin më të vështirët dhe kjo duhet të ndodhë shpejt”.
Trump, i cili nisi mandatin e dytë në janar e ka ndër prioritetet kryesore përfundimin e luftës. Presidenti ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm e të plotë, si dhe ka kërkuar që Rusia të ndalë sulmet ndaj qyteteve ukrainase.
Vance u deklarua “optimist” për arritjen e ndalimit të luftimeve, por theksoi se në fund, vendimi do t’i takojë Kievit dhe Moskës.
Janë ata që duhet të hedhin hapin përfundimtar. Tani u takon rusëve dhe ukrainasve, se secila palë i njeh kushtet e tjetrës për paqe. U takon atyre të arrijnë një marrëveshje dhe ta ndalin këtë konflikt jashtëzakonisht brutal. Kjo nuk po shkon askund… Nuk do të përfundojë së shpejti.
Ukraina është shprehur se dëshiron një armëpushim prej të paktën 30 ditësh, për të hapur rrugën drejt bisedimeve për një paqe të drejtë. Rusia nuk është pajtuar për një armëpushim të tillë, por në mënyrë të njëanshme, presidenti Vladimir Putin shpalli një armëpushim treditor për javën e ardhshme e që përkon me Ditën e Fitores. Kremlini ka deklaruar se është i hapur për bisedime të drejtpërdrejta me Kievin.