Aktualitet

Virozat agresive në janar, rritje mbi 40% të infeksioneve/Durrësi mban rekord!

Virozat në këtë sezon dimri janë bërë më agresive, po krijojnë infektime, po zgjasin në kohë e për rrjedhojë po ndikojnë negativisht për përkeqësimin e shëndetit të popullatës. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se numri i infeksioneve respiratorë në 5 javët e para të vitit 2025 ishte së paku 40% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në javën e katërt të vitit 2025 që korrespondon me javën e fundit të janarit, numri i personave që u raportuan me infeksione respiratore arriti në rreth 23, mijë e 400 ose 44% më i lartë se në të njëjtën javë të vitit të kaluar. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se infeksionet nga virozat shënuan një rritje të lartë përgjatë janarit dhe shkurtit 2025, me gati dyfishim të rasteve.

Infeksionet respiratore nënkuptojnë trajtim me medikamente. Mjekët në poliklinikën e specializuar të mushkërive pohojnë se këtë sezon, gripi ka qenë agresiv duke shkaktuar në masë infeksione të rrugëve të sipërme dhe të poshtme respiratore. Të prekurit kanë shfaqur simptoma si kollë, lodhje e vazhdueshme, etj.

Të sëmurët kronikë janë prekur më rëndë dhe në shumë raste është shtruar nevoja për mjekim me antibiotikë e trajtim në spital. Kjo situatë ka krijuar ngarkesë në spitale, sidomos në klinikat pediatrike.

Fëmijët dhe të moshuarit kanë qenë më të prekur. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se qyteti i Durrësit kishte numrin më të lartë të të prekurve me infeksion të rrugëve respiratore, i ndjekur nga Tirana, Tropoja dhe Gjirokastra.

Mjekët rekomandojnë që të sëmurët kronikë dhe moshat e vjetra duhet të shmangin vend-grumbullimet për të shmangur infektimet. Instituti i Shëndetit Publik rekomandon kryerjen e një vaksine ndaj gripit çdo vit, si mënyra e parë dhe më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi.

Vaksina e gripit mund të reduktojë sëmundjet prej gripit, vizitat te doktori, mungesat në punë dhe në shkollë prej gripit, si dhe parandalon shtrimet në spital si rrjedhojë e tij. Vaksina rekomandohet sidomos në individë me sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundje kardiovaskulare e pulmonare, si dhe te individët e moshës mbi 65 vjeç.

Gjithashtu, ilaçet ndaj gripit vetëm me rekomandim të mjekut mund ta bëjnë sëmundjen më të butë, si dhe të shkurtojnë kohën e saj./Monitor