Kryeministri Edi Rama kërkoi shkarkimin e nëndrejtorëve dhe disa drejtorëve në Bashkinë e Vlorës, gjatë vizitës që bëri në mëngjes në këtë institucion.
Ai qëndroi më pak se dy orë në Bashki, ku sikurse mëson Top Channel, shprehu pakënaqësi për punën e bërë në Bashkinë e Vlorës. Ai kërkoi shkarkimin e nënkryetarëve të Bashkisë, disa drejtorëve dhe punonjësve të administratës.
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, ka vendosur të bëjë ndryshime edhe në strukturat e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës.
Kandidati për deputet, i cili nuk hyri në listat fituese, Klevis Kaso, u emërua kryetar i PS në Vlorë. Deputetja Eriona Ismaili tashmë do të jetë bashkëkryetare e kësaj force politike.
Emërimet janë komunikuar sot gjatë vizitës në Vlorë nga kryetari i PS-së Edi Rama.