Papa Françesku sot mbërriti në Korsikë, duke u përshëndetur me besimtarët e shumtë katolikë të këtij ishulli francez të Mesdheut, përpara një meshe e një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron. Një javë pasi shmangu pjesëmarrjen në rihapjen e katedrales Notre-Dame de Paris, pavarësisht ftesës së kryetarit të shtetit, Ati i Shenjtë mbërriti në orën 08:50 në aeroportin e Ajaccios, nën një qiell blu.
Papa u prit nga ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, si dhe një grup i vogël fëmijësh korsikanë në rrugët e qytetit kryesor të këtij ishulli mesdhetar me 350 mijë banorë. 80% e tyre janë katolikë. Sipas Vatikanit, besimtarët filluan të mblidheshin që në mëngjes për të parë Papa Françeskun.
Papa duhet të bënte një shëtitje në breg të detit, përpara se të shkonte në qendrën e kongresit për të mbyllur një konferencë mbi “Fetarizmin popullor në Mesdhe” dhe të kryesonte një lutje në katedrale e një meshë pasdite, me praninë e 9 mijë personave në teatrin “Casone”.
Referuar Selisë së Shenjtë, vizitën e mbyll një takim në aeroport me Emmanuel Macron-in. Në Korsikë, Papa u ftua nga François-Xavier Bustillo, 56 vjeç, peshkop shumë i njohur dhe miqësor me median, të cilin kreu i katolikëve e bëri kardinal në shtator të vitit të kaluar.
Dioqeza është e varfër, rajoni i Korsikës nuk është i pasur, por falë bujarisë së bizneseve dhe besimtarëve, ne do të arrijmë të bëjmë një pritje të denjë për papën, shprehej kleriku.
Prefekti i Korsikës, Jérôme Filippini, shtoi:
Falë edhe solidaritetit kombëtar francez.
Koston e kësaj vizite disa orëshe, pushtetari vendor e vlerësoi në disa miliona euro. Ky udhëtim në Korsikë është i 47-ti ndërkombëtar i Papës, që nga koha e zgjedhjes së tij dhe i treti për vitin 2024.