Sot në podcast-in “Flasim”, kryeministri Edi Rama zbuloi se me ftesë të presidentit amerikan, Donald Trump, së shpejti do të vizitojë Uashingtonin, për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes për Gazën.
Këtë javë më ka ardhur ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim, për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste e kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar, se,se,se…
Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes e për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues e ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht e të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.
Ndërkaq, akuzoi udhëheqjen e PD-së se përgatit bomba artizanale e paguan mercenarë “për t’i hedhur në protestë”.
Në Europë ka protestues anarkistë, huliganë, neofashistë, por qysh nga koha e partive famëkëqija në Gjermani e Itali të shumë viteve më parë, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që të ketë pjesë të pandarë të programit të saj shkatërrimin e pronës, ushtrimin e dhunës dhe organizimin e trupava paramilitare.
Rrugeçërit e lagjes me maska paguhen për të hedhur molotovë. Mercenarët tani kanë kaluar në hedhjen e bombave të mirëfillta artizanale, të përgatitura nga udhëheqja e PD-së, që synojnë plagosjen e sa më shumë policëve. Këto protesta janë si një jashtëderdhje e plakut të lajthitur që i organizon, që dalin në mediat e huaja dhe që prishin imazhin e Shqipërisë, tha Rama.
Po ashtu, kreu i Ekzekutivit reagoi sërish ndaj Prokurorisë Speciale në Hagë, që para pak ditëve kërkoi dënimin me nga 45 vite burg të 4 ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo farë prokurorie dështoi të sillte, qoftë në një provë të vetme për ta mbështetur këtë kërkesë mizore pas 6 a pak a shumë 6 vitesh hetime, e mbështetur nga një zinxhir shtetesh demokratike, që duhet të ndjehen të turpëruara nga një maskaradë e tillë.