Aktualitet

Vjedhje në Sarandë, Ksamil, Tiranë e Durrës, pranga grabitësit serial!

Vodhi një çantë me 6 mijë euro në një hotel dhe tentoi të grabiste në një automjet të parkuar, policia e Sarandës identifikoi dhe arrestoi autorin e dyshuar, një 37-vjeçar me precedentë penalë për vjedhje. Përveçse në Sarandë e Ksmail, ka vepruar edhe në kryeqytet e në Durrës.  Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Njoftimi zyrtar: 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një pune intensive hetimore dhe nga këqyrja kamerave të sigurisë, për zbardhjen e vjedhjeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Serial thief”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit:

A. M., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më 04.01.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, në ambientet e një hoteli, ka vjedhur një çantë me 6000 euro, ndërsa në lagjen nr. 4, Sarandë, ka tentuar të vjedhë sende nga një automjet i markës “Audi Q5”, duke thyer xhamin e derës së drejtuesit të automjetit.

Nga veprimet hetimore të mëtejshme, rezultoi se shtetasi A.M. ishte shpallur në kërkim për katër vjedhje të tjera, konkretisht:

-më datë 13.12.2024, në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë, si dhe ka vjedhur një celular;

-më 08.12.2024, në Tiranë, dyshohet se ka vjedhur në një banesë dhe në një kioskë.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.