Sport

Vllaznia – Bylis 0-1, Martini: Fati zakonisht i ndihmon më të mirët/ Josa: Nuk kishte asnjë lloj faulli te goli i anuluar!

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, e ka cilësuar fitoren ndaj Bylisit si shumë të rëndësishme, por edhe me fat, siç e theksoi pas ndeshjes.

“E filluam mirë, mbaruam pjesën e parë shumë mirë, duhet të shënonim 2-3 herë, nuk ia dolëm, një gol i anuluar. Pjesa e parë shumë mirë, pastaj Bylisi e nisi me ritëm tjetër pjesën e dytë, ishin më mirë ata se ne. Por ishte një ndeshje e vështirë, në një fushë ku të gjithë e kanë të vështirë të marrin pikë këtu.

Ne e kishim llogaritur lojën nga të dy krahët, po ta shihni edhe golin e anuluar, ishim nga e djathta. Mund të kishim më shumë majtas, por të dy krahët i kemi afër portës, Jago dhe Kastrati harxhuan shumë energji, punuan shumë në fazën sulmuese e mbrojtëse. Pastaj 5 mungesa janë shumë edhe zëvendësimet i bëmë vonë, kishim të rinj që janë të perspektivës. Jo se nuk janë gati, por në ndeshje të tillë të tensionuar ku duhen pikë, e ngarkesa për ta është e madhe, ndaj 5 mungesa lojtarësh që mund të ishin në lojë sot, janë shumë. I përgëzoj djemtë për shpirtin e garës.

Nuk është loja ime dhe e ekipit që të çojnë topin e gjatë dhe të qendrës, me mbrojtësit e krahëve e luajmë shpesh. Balaj është pikë referimi, nxjerr mbrojtjen kundërshtare dhe marrim thellësi me lojtarë të krahëve. Nuk e kërkova, nuk e kishim planifikuar, por është lojë që e bëjmë gjithë kohës.  I kënaqur me pjesën e parë, jo me të dytën, por kemi pasur edhe ndeshje të tjera që kemi barazuar e humbur, por fati ishte me ne dhe zakonisht ndihmon më të mirët”, tha Martini pas ndeshjes.

Trajneri i Bylisit, Mirel Josa, e ka cilësuar ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë me dy fytyra për lojën e skuadrës së tij. E njëkohësisht, as ai nuk i është shmangur diskutimeve për vendimet e gjyqtarit.

“Mua nuk më takon të diskutoj episodet, por vetëm zhvillimin e lojës. Por nuk janë vetëm 22 lojtarë, por edhe tre gjyqtarë që drejtojnë lojën nga brenda, kemi pretendimet tona por nuk do shkoj, nuk e interpretuam mirë lojën e saj. Duhet të kishim rrëshqitje më të mira të mbrojtjes, si rezultat erdhi edhe goli i anuluar i Vllaznisë. Normalisht duhet të kishim qetësi më të madhe në mesfushë për të vënë në trysni Vllazninë, e pastaj të shkonim me mundësitë tona të gjuanim në portën e saj.

Problemi ishte që tre lojtarët e mesit të fushës tonë, duhet të ishin më të saktë në pasime, bënë shumë gabime individuale dhe kjo bëri të mos kishim shprehje në aspektin sulmues. Por të përmend gabimet individuale, nuk dua të përmend individualisht, por ata që qendër të mesfushës duhet ta zgjidhin me qetësi. Bëmë gabime shumë të thjeshta që na vunë në një farë presioni. Megjithatë, çdo gjë u ekuilibrua, rrjedhimin e pjesës së dytë nuk mund ta komentoj, se skuadra interpretoi mirë lojën, edhe të autogoli që pësuam, kishim topin me qendërmbrojtësin tonë që pasoi gabim. Ndaj fitoi topin Vllaznia dhe erdhi goli. Nuk mund të them koment tjetër se çfarë ndodhi në lojë, etj.

Edhe mund të kishin shkuar ndryshe gjërat, por kur mbaron një ndeshje, ka njerëz të tjerë që i shohin në këto gjëra apo vendosin mbi ecurinë e mëtejshme qoftë tonën, se vendoset ecuria jonë si skuadër, por edhe ecuria e njerëzve që drejtojnë ndeshjen, brenda në fushë dhe jashtë saj. Nuk mund të flas për rastin e penalltisë të cilën arbitri e sinjalizoi dhe shkoi nëpërmjet VAR-it. Por në momentin e rastit tjetër, e pashë të fundit, që u anulua goli, për mendimin tim nuk kishte asnjë lloj faulli, lojtari i Vllaznisë ishte mes tre lojtarëve tanë, nuk kishte topin në zotërim dhe lojtari ynë shkoi i pari te topi”, tha Josa pas ndeshjes.