Aktualitet

Vlora pa ujë prej ditësh, vijon defekti në tubin kryesor!

Qytetarët e Vlorës sot mbajnë një tjetër protestë para bashkisë teksa kanë hyrë në ditën e katërt që nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Një defekt i shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit ka ndërprerë furnizimin, duke krijuar situatë problematike.

Si zgjidhje alternative për banorët, Ujësjellësi ka mundësuar furnizimin me autobote në disa lagje të qytetit. Disa qytetarë të tjerë kanë zgjedhur të blejnë ujë të ambalazhuar ose t’i drejtohen burimeve natyrore kryesisht në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

Një ditë më parë, në shenjë proteste, dhjetëra qytetarë të Vlorës të drejtuar nga anëtarë të FRPD-së, hynë me forcë brenda teatrit “Petro Marku”, duke ndërprerë mbrëmjen gala të bashkisë me rastin e festave të fundvitit. U desh ndërhyrja e policisë për t’i larguar nga salla. Protestuesit tentuan edhe të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në bulevardin kryesor të qytetit bregdetar.

Ujësjellësi i Vlorës vijon punën për riparimin e defektit duke salduar tubacionin, por presioni i lartë i ujit në linjën që e furnizon, sërish ka shkaktuar çarje duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit normal me ujë.

Ka nisur prova e tretë dhe janë hapur vetëm disa pompa, që uji të ketë presion të ulët. Edhe pse mund të kenë disa rrjedhje të vogla, tubat do të mund të mbajnë qytetin me ujë. Ky proces pritet të përfundojë pas aktivizimit të plotë të pompave.