Një kthesë e papritur ka ndodhur në skandalin që përfshiu vjedhjen e muzikës së papublikuar të superyllit botëror Beyoncé. I akuzuari kryesor në këtë çështje ka shmangur procesin e plotë gjyqësor pasi pranoi fajësinë përballë autoriteteve.
Bëhet fjalë për Kelvin Evans, i cili u deklarua fajtor të martën, më 12 maj, për disa akuza që lidhen me vjedhjen e materialeve të ndjeshme të artistes. Sipas mediave amerikane, marrëveshja me prokurorët erdhi pas muajsh hetime dhe negociata.
Ngjarja kishte ndodhur verën e kaluar në Atlanta, vetëm pak ditë para nisjes së turneut “Cowboy Carter” të Beyoncé. Hetuesit zbuluan përmes kamerave të sigurisë se Evans kishte hyrë me forcë në një automjet SUV të marrë me qira nga një pjesëtar i stafit të këngëtares.
Brenda automjetit ndodhej një flash drive me materiale tepër të ndjeshme, përfshirë këngë të papublikuara të artistes, çka e bëri çështjen një nga më të komentuarat në industrinë muzikore.
Fillimisht, Evans rrezikonte deri në gjashtë vite burg, por pas pranimit të fajësisë ai u dënua me dy vite heqje lirie. Më herët, ai kishte mohuar përfshirjen dhe kishte refuzuar një ofertë të parë nga prokuroria.
Sipas autoriteteve, Evans dyshohet të ketë lidhje edhe me raste të tjera vjedhjesh automjetesh, duke rënduar më tej situatën e tij ligjore.
Skandali ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi bëhet fjalë për materiale muzikore të papublikuara, të cilat konsiderohen ndër asetet më të vlefshme dhe më të mbrojtura në industrinë e muzikës.