Policia e Tiranës finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Rojtaret”, pas zbulimit të një grabitjeje të ndodhur më 24 tetor 2025, në një banesë në rrugën “Musa Agolli”. Me kallëzimin e bërë nga pronarja e banesës, e cila raportoi se gjatë mungesës së saj ishin vjedhur 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë rreth 20 000 euro nga kasaforta, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 organizuan menjëherë punën hetimore dhe operacionale.
Si rezultat, u identifikuan dhe u zbuluan autorët e dyshuar të ngjarjes: Pashk Zefi, 52 vjeç, dhe shtetasi me iniciale D. B., 56, të dy banues në Tiranë. 52-vjeçari u arrestua, ndërsa bashkëpunëtori i tij, D.B., u shpall në kërkim.
Hetimet kanë treguar se të dy kishin vëzhguar prej ditësh banesën duke vepruar në momentin kur aty nuk ishte askush. Pas grabitjes, D.B. dyshohet se e ka larguar me automjet autorin kryesor nga vendngjarja.
Gjatë kontrollit në banesën e 52-vjeçarit, policia sekuestroi dy automjete, një celular dhe një armë zjarri pistoletë me leje.
Forcat e rendit po vijojnë kërkimet për kapjen e bashkëpunëtorit dhe hetimet, për të zbuluar nëse dy të dyshuarit janë përfshirë në vjedhje të tjera në kryeqytet.