Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Votat e Diasporës, PD-ja kryeson në zarfet e para!

Votat e Diasporës, numërohen 1 mijë e 660 zarfe. Votat e diasporës shqiptare marrin rëndësi të jashtëzakonshme në këto zgjedhje parlamentare, jo vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën për të zgjedhur lidershipin për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe në ndikimin e rezultatit për subjektet politike e karriget në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga 194 889 zarfeve në total nga diaspora shqiptare në botë, janë numëruar 1.660 vota, ku sipas të dhënave nga KQZ, Partia Demokratike rezulton të jetë në epërsi të ngushtë ndaj Partisë Socialiste.

Partia Demokratike ka marrë besimin e 726 votuesve, Partia Socialiste ka siguruar 705 vota, ndërsa Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka marrë 117 vota.

Deri më tani, procesi i numërimit të votave për diasporën ka nisur në disa qarqe, konkretisht në Shkodër, Kukës, Lezhë, dhe Berat. Ndërkohë, në qarqet e tjera, procesi i numërimit nuk ka nisur ende. Në “Parkun Olimpik” në Tiranë gjithçka është pezulluar, pasi numëruesit e të dyja palëve kanë kërkuar një pushim nga lodhja e orëve dhe asaj çfarë kanë kaluar gjatë mbrëmjes së kaluar, një kërkesë që është miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth orës 10:30 të gjithë do të rikthehen brenda godinës së “Parkut Olimpik” për të rinisur numërimin e votave të diasporës.

Kujtojmë se pati problematika për Greqinë. Një numër i madh zarfeve nuk arritën të shpërndaheshin për shkak të vështirësive me shërbimin postar. Këto problematika kanë shkaktuar tensione politike, pasi Partia Demokratike ka hedhur akuza se eksponentë të PS-së kanë manipuluar procesin e votimit përmes marrjes dhe dorëzimit të zarfeve të votuesve nga jashtë. Lidhur me këtë, PD-ja kërkoi numërim të veçantë për kutitë që kanë ardhur nga votimi i diasporës në Greqi.