Policia në Shkodër vuri në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Abat, në zonën e Shalës. Blutë arrestuan shtetasin Ndoc Maçaj, i dyshuar se ekzekutoi 61 vjeçarin, Piro Prroni. Bëhet me dije se Maçaj u vetëdorëzua në polici, disa orë pas krimit, herët në mëngjes. Një natë më parë, burime zyrtare njoftonin:
Rreth orës 20:00, në fshatin Abat, Shalë, shtetasi N.M., në rrethana ende të paqarta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin P.P., 61 vjeç. Shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë për në fshatin Abat, për të bërë të mundur kapjen e autorit. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ndërkaq, në njoftimin e sotëm policor thuhet:
Dyshohet se vrau me armë zjarri pistoletë, 61-vjeçarin, për motive të dobëta, arrestohet 58-vjeçari, i cili u vetëdorëzua disa orë pas ngjarjes, bashkë me armën e krimit. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit vunë në pranga shtetasin N. M., 58 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky dyshohet se dje, në fshatin Abat, Shalë, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, shtetasin P. P., 61 vjeç, banues në fshatin Abat.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar dy gëzhoja pistolete dhe dy mjete prerëse (thikë e kmesë).
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Autori dhe 61 vjeçari, kushërinj me njëri-tjetrin, kishin pasur konflikte për një tokë në Shalë. Dyshohet se procesi i regjistrimit të pronave ishte shkaku.