Vrasja me armë zjarri e një shtetasi italian në Tepelenë, burime jo zyrtare thonë se u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar, për të cilin ka edhe një informacion jo zyrtar se njihet si përdorues i lëndëve narkotike e se mund të jetë fshehur në zonën mes Gusmarit e Nivicës. Uniformat blu po ushtrojnë kontrolle.
Viktima, i identifikuar si Edoardo Sarchi, rezulton biznesmen italian, ortak në një fabrikë tullash në zonën e Laprakës në kryeqytet. Ngjarja ndodhi 30 minuta pas mesnate, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”. I shoqëruar nga të tjerë persona, Sarchi gjendej në zonë për gjah.
Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E.S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, njoftoi policia.
Eshtë ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.