Ky topth petalesh delikate me ngjyra të ëmbla që të kënaqin shpirtin simbolizon mirënjohje, krenari dhe vlerësim. Luleborës i janë thurur këngë e vargje dashurie, por simbolika e kësaj luleje të bukur që të kujton mbrëmjet e Pogradecit ose Shkodrën e mrekullueshme shkon përtej. Lulebora në fakt është një lule që dhurohet, ose i jepet një personi të lumtur, optimist dhe të ndershëm. Lulebora gjithashtu simbolizon pastërtinë, pafajësinë dhe besnikërinë. Lulebora është zbuluar për herë të parë në Japoni. Në gjuhën angleze emrin e ka “Hydrangea” që vjen nga greqishtja e lashtë.
Në botë ekzistojnë katër deri në pesë lloje luleborë, rrënjët dhe bishtat e të cilave janë përdorur prej shekujsh në terapi të ndryshme dhe kura shëndetësore. Veçanërisht për të luftuar gurët në veshka, infeksionet në fshikëzën e urinës, prostatën dhe alergjitë nga polena ose pluhuri. Luleborën mund ta përdorim si barishte (vetëm rrënjët dhe bishtat e nëndheshme) në përgatitjen e lëngjeve tonike që i bëjnë mirë veshkave. Lëngu i bërë me luleborë rrit fluksin e urinës dhe ndihmon veshkat duke shkarkuar mbetjet e akumuluara dhe ndihmuar në formimin e sekrecioneve të rëndësishme.
Lulebora ka në përmbajtjen e saj hydranginën, një përbërës i rëndësishëm falë të cilit lulebora ka të gjitha vlerat e nevojshme që ndihmojnë veshkat. Shumë njerëz përdorin rrënjët dhe bishtat nëntokës së luleborës duke i zier në ujë të bollshëm për pesë minuta dhe duke e konsumuar lëngun si çaj. Studiuesit Japonezë tregojnë se lëngu nga rrënjët e luleborës ndihmon në shkarkimin e gurëve të vegjël nga veshkat pa patur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.