Film & Tv

Weapons- Një “bërxollë horrori”, shoqëruar me “asparag satire” e “bizele drame”!

Mendoj se një film e ka kryer misionin e tij nëse gjatë castit që jepen titrat, në heshtje totale, ti shkëmben shikime me njerëzit përreth. Nga ato shikimet ku fjalët s’janë të nevojshme, e duket sikur me telepati po i komunikon personit që ke ngjitur fjalinë: “Cfarë dreqin pamë”!

Në një kohë ku cdo film duket si një remake më i arrirë ose më i dobët i një prodhimi tjetër, ‘Weapons’ mund t’ju zhgënjejë në plot aspekte, por parashikueshmëria nuk është një prej tyre.

Pas suksesit që Zach Cregger pati me Barbarian, i madh e i vogël ishin kurioz e në pritje të projektit të tij të rradhës ,ama si dikush që i ka parë tashmë të dy prodhimet, jam e shokuar që ky i dyti është vlerësuar nga kritikët si më pak se. Sipas tyre, Weapons-it i mungonte linja e historisë dhe skenari I “Barbarian”.  Deklarata ime ndoshta nuk ka aq“besueshmëri”, duke konsideruar faktin që filmat “puro horror” nuk “më ngrohin”, por “Barbarian” ishte frikë, panik dhe horror i servirur “sade”. Nuk ishte as i kavërdisur e as i kamufluar si dicka tjetër. Weapons kishte si pjatë kryesore “bërxollën e horrorit” por shoqërimi me “ asparag satire”, “pure thriller” dhe “bizele drame”, patjetër që e bëri më të shijshëm për palate-n time. (ndjesë për analogjitë ushqimore, por paskemi qenë të uritur për një miks zhanresh).

 

 

Për tu rikthyer tek historia, 17 fëmijë nga e njëjta klasë janë zhdukur. Në orën 2:17 të mëngjesit, të gjithë këta fëmijë u zgjuan, u ngritën nga shtrati i tyre dhe me duart hapur, vrapuan drejt errësirës. I vetmi informacion që prindërit e shqetësuar kanë është se ata rendën në një mënyrë të cuditshme, me një posturë të pashpjegueshme(informacion të cilin e morrën me anë të kamerave të sigurisë së shtëpive të tyre). “Të pafuqishëm” për të mbrojtur fëmijët e tyre, prindërit fajsojnë mësuesen e klasës Ms Grady (Julia Garner). Nuk është vetëm“arratisja” e të vegjëlve c’ka ngjall mister, por fakti se një prej nxënësve (Cary Christopher) është i vetmi që të nesërmen pas incidentit, u gjend në klasë, tërësisht I pacënuar e I paditur mbi motivet e bashkëmoshatarëve të tij.

 

Me një qasje “alla Pulp Fiction”, filmi ndahet në kapituj jo linear ku ndiqet perspektiva e mësueses, ajo e një prindi të shqetësuar, një polici, një djaloshi të varur nga droga, e në përfundim, perspektiva e djalit “të mbijetuar” ( e vë në thonjza këtë të fundit sepse fati I fëmijëve përgjatë filmit mbetet mister). Tregimi i kurbës së ngjarjeve në këtë mënyrë, më bën ti kundërvihem cdo kritiku që ka pakënaqësi me skenarin e Weapons. Edhe një skenar i dobët, treguar mjeshtërisht nga perspektiva të ndryshme, ku në cdo POV shikuesi zbulon një të dhënë të re, arrin ta mbajë audiencën në qoshkë të ulëses (nëse harruat se keni hernie diskale teksa shihni ekranin, filmi e ka tejkaluar qëllimin e tij).

Ama, bie dakord me faktin se mesazhi që me aq dëshirënga Cregger u mundua të kamuflohet, fatkeqësisht u servir “shabllon”. Regjisori është munduar t’i vendosë mesazhet si “vezë pashke”, deri në castin që shfaq një AK-47 gjigande mbi shtëpinë e djalit të mbijetuar. Jemi të qartë…”Weapons” përkthehet në “Armët”, e ndoshta ka të bëjë me mesazhe sociale si “school shooting” ose edhe politike ( përdorimi i rinisë si armë në mënyrë metaforike ose jo). Por nëse do ta shihnit filmin, kjo skenë duket si gafë regjisoriale…skenë që po të kishit qenë aty ku filmi po montohej, do e kishit fshirë pa u menduar dy herë. Thellë-thellë besoj se është vënë si “hudhër” për të larguar syrin e keq, pasi pjesa tjetër, nuk lë hapsirë për gjykim, as nga kritikët më në zë.

Për ditë me rradhë, kolona zanore më ka mbetur pas, së bashku me shijen e një “vakti të bollshëm” që Weapons me 5 zhanret e tij ofron (Horror, Mister, Thriller, Satirë, Dramë). Vendosja e “Beware of Darkness” nga George Harrison ishte qershia mbi tortë.