Sport

Xhandarmaria serbe zbarkon në Nish/ Izolohet Kombëtarja, snajperë dhe ekspertë anti-dron!

Stadiumi i Leskovacit do të presë sot në mbrëmje një ndeshje me tension të lartë mes Serbisë dhe Shqipërisë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Takimi, që nis në orën 20:45, konsiderohet si vendimtar për fatet e dy përfaqësueseve në Grupin K, ku gara për vendin e dytë mbetet e hapur.

Me 8 pikë të grumbulluara pas pesë ndeshjesh, Shqipëria renditet e dyta në grup, ndërsa Serbia ndodhet një pikë më poshtë, por me një ndeshje më pak. Anglia ka marrë distancë të sigurt në krye, duke lënë kombëtaret ballkanike të luftojnë për një vend në “play-off”.

Ndeshja zhvillohet në një klimë të mbingarkuar sigurie. Autoritetet serbe kanë ndaluar shitjen e biletave në treg të lirë, ndërsa tifozët shqiptarë nuk do të jenë të pranishëm në stadium. Masa të shtuara janë marrë pas incidenteve të shumta të regjistruara në ndeshjet e kaluara nga huliganë serbë.

Në aspektin sportiv, kuqezinjtë zbresin në fushë me një formacion të konsoliduar. Sylvinho i qëndron besnik vijës mbrojtëse me Strakoshën në portë dhe katërshen Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj. Asllani, Shehu dhe Laçi pritet të udhëheqin mesfushën, ndërsa në sulm do të aktivizohen Broja, Daku dhe Uzuni ky i fundit favorit për të nisur në krah, përpara Bajramit.

Qindra oficerë policie – përfshirë snajperë, efektivë me veshje civile dhe ekspertë të dronëve – do të sigurojnë stadiumin.

Sa i përket organizimit të ndeshjes, do të angazhohen rreth 5000 forca policie, të ardhura nga Beogradi, për të mbajtur rendin në zonën mes Nishit dhe Leskovcit, ku ndodhet hoteli dhe do të zhvillohet ndeshja.

Edhe pse janë të lejuar rreth 6000 tifozë, konfidencialisht më thanë se numri nuk do të kalojë 3500-4000 tifozë, për të garantuar sigurinë dhe kontrollin maksimal. Përveç badge-ve, do të kërkohen edhe pasaportat për hyrjen në stadium.

Seksioni për tifozët shqiptarë do të mungojë, pasi biletat nuk janë lëshuar për shitje të përgjithshme. Autoritetet vendase dhe UEFA synojnë të parandalojnë përsëritjen e skandalit të tetorit 2014.

Në atë kohë, Serbia dhe Shqipëria po përballeshin në kualifikueset e Kampionatit Evropian. Para ndeshjes, tifozë serbë hodhën gurë drejt autobusit të ekipit shqiptar, ndërsa himni i Shqipërisë u mbulua nga protestat dhe fishkëllimat.

“Vritini shqiptarët!” bërtisnin tifozët, kur një dron që mbante një flamur fluturoi mbi fushë në minutën e 42-të. Ai paraqiste skicën e “Shqipërisë së Madhe”, simbol i nacionalistëve shqiptarë. Mbrojtësi serb, Stefan Mitroviç, rrëmbeu flamurin, ndërsa lojtarët shqiptarë u vërsulën drejt tij. Pati përleshje në fushë dhe jashtë saj.

Ndeshja u ndërpre, por pasojat u ndjenë gjatë: në Prishtinë, qindra tifozë festuan me autokolona dhe fishekzjarrë.

Në zonat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës u dogjën flamuj të të dy vendeve. Edhe në diasporë në Vjenë dhe Berlin – ndodhën përleshje mes grupeve shqiptare dhe serbe. Një vizitë e planifikuar e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd u shty. Që atëherë, përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë konsiderohet si një nga më të tensionuarat në historinë e futbollit evropian.

Tifozët kanë vijuar të zgjerojnë konfliktin shekullor nëpërmjet futbollit.