Sonte në orën 20:45, luhet ndeshja e vitit. Kuqezinjtë sfidojnë Serbinë në Leskovac. Trajneri Sylvinho u tregua i qartë për atë që Shqipëria kërkon.
Vetëm tri pikët mund ta afrojnë ekipin me zonën play-off, teksa shprehu besimin te futbollistët e tij.
Elseid Hysaj, i vetmi lojtar i cili ka qenë në fushë edhe në ndeshjen famëkeqe të Beogradit, 11 vite më parë, tha se përballë Serbisë nuk ka nevojë për motivim, se sapo zbritën në Nish e kuptuan se si duhet të luanin në fushë.
Në stërvitjen që kuqezinjtë zhvilluan në stadiumin “Duboçica”, mungonte flamuri shqiptar, një shkelje e rëndë e rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s. Federata serbe tha për Top Channel se donte të shmangte incidentet, por sonte ngjarja nuk mund të përsëritet.
Sa i takon formacionit të mundshëm, në portë pritet të jetë Strakosha. Mbrojtja do të përbëhet nga Hysaj, Ajeti, Gjimshiti e Mitaj. Në mesfushë pritet të jetë treshja Asllani, Laçi, Shehu dhe sulmi do të përbëhet nga Broja e Bajrami në krahë që do të mbështesin Manajn në majë të sulmit.
Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të lartë nga FIFA, që ka dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët serbë dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxori në shitje asnjë biletë. 6 mijë e 500 tifozët do jenë me ftesa e të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit.
Digitalb do të sjellë emocionet e ndeshjes Serbi-Shqipëri që luhet sot në orën 20:45. Kësaj here, emocione për të gjithë. Çdo abonent tokësor i Digitalb-it do të mund ta ndjekë falas përballjen. Por, surprizat nuk ndalen këtu. Në çdo skaj të globit, ndeshja do të jetë pranë jush përmes paketës satelitore dhe aplikacionit Digitalb OTT. Për përballjen e radhës me Serbinë në Leskovac, Digitalb do të sjellë gjithçka, sekondë pas sekonde.