Aktualitet

Ylli Ndroqi ankimon vendimin për sekuestrimin e pasurisë

Ylli Ndroqi ishte sot në Policinë e Tiranës për t’iu komunikuar vendimi i sekuestros së pasurisë. Televizioni “Ora” në pronësi të biznesmenit është mes 26 pasurive për të cilat Gjykata Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar vendosi sekuestrimin me kërkesë të SPAK-ut. Përmes avokatit të tij, Ylli Ndroqi foli për “sulm politik”. Sipas SPAK-ut, “Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar sa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi dhe familjarëve, rezulton se kanë nivel të pajustifikuar ekonomik. Gjithashtu, dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale në Shqipëri, Turqi e Itali. Ylli Ndroqi akuzohet për përfshirje në “Trafik narkotikësh” e “Organizatë kriminale”. Krahas televizionit “Ora”, iu sekuestruan troje, apartamente, sipërfaqe pyjore, automjete e kuota aksionesh në disa shoqëri.

“Është vendosur sekuestro e pasurive të tij. Ka qenë duke udhëtar me makinë e tij Merces-Benz, modeli S600″ dhe është ndaluar nga forcat operacionale për t’i marrë makinën si pjesë e sekuestros. Ylli Ndroqi nuk është ndaluar dhe as shoqëruar, por ka shoqëruar makinën e tij dhe të kërkojë sqarime. Brenda afatit ligjor 5 ditor do ta apelojmë.E gjitha pasuria e tij është e krijuar nga burime të ligjshme, është e krijuar nga aktivitete të shoqërisë së tij dhe nga kreditë bankare. Ai mendon se ky është një sulm politik dhe për shkak të gjyqit që po zhvillohet njëkohësisht ndaj tij dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj”, -tha Qafa.