Tech

YouTube bllokon kanalet e dy mediave shtetërore ruse!

Së fundmi, YouTube ka vendosur të bllokojë kanalet e dy mediave shtetërore ruse, ‘Russia Today’ dhe ‘Sputnik’, në të gjithë Europën, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në një deklaratë të postuar në Twitter, ‘Google Europe’ tha:

Për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, po bllokojmë kanalet që lidhen me RT dhe Sputnik në Europë. Skuadrat tona po vazhdojnë të monitorojnë situatën minutë pas minute dhe do të ndërmarrim veprime të shpejta.

Më parë, platforma ka bllokuar kanalet e dy mediave për gjenerimin e parave nga reklamat në faqet e tyre në internet. Ndërkaq, Alphabet, kompania amë e platformës, YouTube, ka thënë se mediat shtetërore ruse nuk do të mund të përfitojnë nga reklamat më në këtë rrjet.

Kjo nënkupton që Russia Today (RT) dhe kanale të tjera nuk mund të marrin para nga reklamat në YouTube dhe faqe tjera që janë në pronësi të Alphabet. Kompania ka thënë se këto media as nuk do të mund të blejnë reklama përmes shërbimeve të kompanisë Google.

Sjellim në vëmendje se themeluesi dhe CEO i SpaceX, Elon Musk, njoftoi se satelitët e internetit Starlink të kompanisë janë tani aktivë në Ukrainë pasi vendi vuan nga ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të pushtimit të Rusisë. Musk, CEO i Tesla shkroi në Twitter se:

Shërbimi Starlink tani është aktiv në Ukrainë. Më shumë terminale gjatë rrugës.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës i kërkoi Musk që të ofrojë shërbimin e internetit për vendin në mes të sulmeve ruse dhe Musk e bëri të mundur këtë gjë, sipas një shkëmbimi komunikimesh në Twitter mes të dyve ditën e shtunë. Mykhailo Fedorov, ministër i transformimit dixhital të Ukrainës, i shkroi Musk se:

Ndërsa ju përpiqeni të kolonizoni Marsin, Rusia përpiqet të pushtojë Ukrainën. Ndërsa raketat tuaja zbarkojnë me sukses nga hapësira, raketat ruse sulmojnë njerëzit civilë ukrainas! Ne ju kërkojmë të pajisni Ukrainën me stacione Starlink.