Aktualitet Sport

Zbarkojnë Serbët, blindohet Tirana! I tremben edhe gatimit!

Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur në Tiranë dhe në kushte të forta sigurie është shoqëruar nga Rinasi për në hotelin pranë “Pallatit me Shigjeta”, ku edhe është akomoduar.

Kombëtarja e drejtuar nga Dragan Stojkovic mbërriti në Rinas këtë të premte pas mesditës, teksa u akomodua në një nga hotelet në Bulevardin “Gjergj Fishta”. Që nga shkelja e tyre në Rinas, gjithë stafi serb ishte i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, për të shmangur çdo problem. Ekipi serb ishte në hotel në orën 13:40, teksa u shoqëruan gjatë gjithë itinerarit nga policia e shtetit dhe forcat speciale RENEA. Asnjë incident nuk u shënua me mbërritjen e Serbisë. Pas pushimit për disa orë, ekipi i drejtuar nga Dragan Stojkovic do zhvillojë stërvitjen në “Arenën Kombëtare”, po me siguri të lartë.

LEXO EDHE: Protagonisti i natës së paharrueshme në Beograd, Balaj: Një ndeshje që gdhendet në memorie, ruajtëm simbolet tona

Gjithashtu ekipi i Serbisë ka me vete edhe stafin e vet të sigurisë, ndërsa nuk do mungojë as kuzhinieri. Si shumë ekipe në botë, edhe Serbia udhëtoi në Tiranë me kuzhinierin me vete. Më shumë se mosbesim për ushqimin e gatuar në hotelin ku po qëndrojnë, serbët duan të marrin kaloritë dhe dietën e duhur përpara një ndeshje që është deçizive për vendin e dytë në Grupin K, i cili me gjasë do diskutohet mes Shqipërisë dhe Serbisë deri në fundin e këtyre kualifikueseve.

Agjenda e ekipit serb në Shqipëri, e premte 6 qershor:

Mbërritja në Tiranë pas orës 13:30 të së premtes

Akomodimi në hotelin pranë “Pallatit me Shigjeta”

Ora 17:30 konferenca e trajnerit serb, Dragan Stojkovic në “Arenën Kombëtare”

Ora 18:00 ekipi serb stërvitet në “Arenën Kombëtare”

Ora 19:30 ekipi serb kthehet në hotel

Nesër Kombëtarja Serbe pritet t’i drejtohet stadiumit rreth 2 orë përpara ndeshjes.

Shqipëri  – Serbi përcillet drejtpërdrejt në DigitAlb.