Një teknologji e re inovative e zhvilluar nga studiues francezë po hap horizonte të reja në trajtimin e sëmundjeve të trurit, përmes përdorimit të një helmete që lëshon dritë infra të kuqe. Pajisja, e krijuar nga qendra kërkimore Clinatec në Grenoble, funksionon me një metodë të quajtur fotobiomodulim, e cila synon të stimulojë qelizat e trurit në mënyrë jo invazive duke përdorur dritë infra të kuqe.
Sipas studiuesve, kjo teknologji mund të përdoret për trajtimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri dhe Parkinsoni, por edhe për trauma të trurit, çrregullime mendore dhe probleme kardiovaskulare. Ekspertët theksojnë se fizika mund të luajë një rol kyç në mjekësinë e së ardhmes, duke plotësuar apo zëvendësuar në disa raste trajtimet tradicionale me bazë kimike, të cilat shpesh kanë kufizime.
Megjithatë, kjo teknologji ndodhet ende në fazën e provave klinike dhe nuk ka ende prova përfundimtare për efektivitetin e saj, edhe pse potenciali konsiderohet shumë i madh. Studiuesit shprehen optimistë se kjo qasje mund të sjellë një revolucion në trajtimin e sëmundjeve të rënda, duke hapur rrugën për metoda më të sigurta dhe më efektive në të ardhmen.
Në jetën e përditshme të ngarkuar, truri ynë shpesh funksionon pa pushim. Stresi, zhurma dhe ekranet e shumta e lodhin dhe i ulin përqendrimin. Por ka mënyra të thjeshta për ta rifreskuar mendjen në vetëm 10 minuta. Një shëtitje e shkurtër në ajër të pastër, frymëmarrja e vetëdijshme, meditimi i lehtë ose dëgjimi i muzikës relaksuese janë teknika që rikthejnë qetësinë mendore. Edhe mbyllja e syve për disa minuta dhe fokusimi në ndjesinë e trupit ndihmon trurin të rikuperohet.