Bota

Zbulohen tre nëndetëse ruse pranë tubacioneve nënujore në Mbretërinë e Bashkuar, sekretari i Mbrojtjes: Do të ketë pasoja nëse…

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se tre nëndetëse ruse janë zbuluar duke kryer një operacion “të fshehtë” pranë kabllove dhe tubacioneve nënujore në veri të Mbretërisë së Bashkuar.

Marina Mbretërore reagoi duke dërguar anije dhe helikopterë për t’i ndjekur, ndërsa nuk ka prova për dëmtime.

Duke iu drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, Healey paralajmëroi se çdo ndërhyrje ndaj kabllove nuk do të tolerohet dhe do të ketë pasoja.

Kryeministri Keir Starmer theksoi se Britania do të veprojë për të mbrojtur sigurinë dhe ekonominë, ndërsa kritika pati nga Nigel Farage, i cili vuri në dyshim gatishmërinë e marinës.

Kabllot nënujore janë jetike për vendin, pasi mbi 90% e trafikut të internetit kalon përmes tyre dhe një pjesë e madhe e energjisë sigurohet nga tubacionet në Detin e Veriut.

arina suedeze po ndeshet “pothuajse çdo javë” me nëndetëse ruse në Detin Baltik, kanë deklaruar autoritetet, ndërsa vendi po përgatitet për një rritje edhe më të madhe të pranisë ushtarake.

Kapiten Marko Petkovic tha se Moska po “forcon vazhdimisht” prezencën e saj në rajon, ndërsa identifikimi i mjeteve detare ruse është kthyer në pjesë të përditshme të punës së marinës suedeze.

“Është shumë e zakonshme”, u shpreh ai, duke shtuar se numri i rasteve është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Rajoni i Baltikut po përballet gjithashtu me një gamë kërcënimesh në rritje, përfshirë sulme hibride me dronë, sabotim të mundshëm të infrastrukturës nënujore dhe qarkullimin e anijeve të vjetra të naftës nga e ashtuquajtura “flotë hije” ruse.

Muajin e kaluar, sekretari britanik i mbrojtjes raportoi se një anije ruse spiune kishte hyrë në ujërat britanike dhe kishte drejtuar rreze lazer ndaj pilotëve ushtarakë, duke paralajmëruar për një “epokë të re kërcënimesh” nga shtetet armiqësore.

Suedia kohët e fundit mikpriti një nga stërvitjet më të mëdha të NATO-s për luftën kundër nëndetëseve, “Playbook Merlin 25”, ku morën pjesë nëntë vende, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në.