Celebrities Film & Tv

Zbulohet data e publikimit të sezonit të dytë të “Bridgerton”!

Sezoni i dytë i serialit “Bridgerton” do të lançohet në platformën e Netflix më 25 mars 2022. Ky serial u shndërrua në një fenomen dhe u bë ndër më të ndjekurit ndonjëherë të gjigantit të transmetimit, kështu që ishte e natyrshme që të kishte një rikthim për sezonin e dytë.

Këtë e kanë konfirmuar disa anëtarë të kastit. Lajmi vjen gati një vit pasi “Bridgerton” debutoi për herë të parë në Netflix. Fillimisht e rinovuar për një sezon të dytë në janar të këtij viti, shfaqja kishte ndërprerë prodhimin për shkak të COVID-19. Netflix ka porositur tashmë një sezon të tretë dhe të katërt. Përshtatja e Netflix, ashtu si dhe libri, do ta zhvendosë fokusin e saj te një personazh i ri çdo sezon.

Kur seriali të rikthehet më 25 mars, ndërthurjet romantike të Anthony Bridgerton, të luajtur nga aktori Jonathan Bailey, do të jenë në qendër të serialit. Bazuar në romanet e Julia Quinn, “Bridgerton” është një serial romancë-triller historik, që zhvillohet në Londrën e epokës ‘Regency’ në vitin 1813, ku paraqitet familja aristokratike Bridgerton, tetë fëmijë dhe nëna e tyre e ve.

Producentja e njohur e shumë serialeve të suksesshëm si “Grey’s Anatomy” apo edhe “Scandal”, Shonda Rhimes së fundmi ka bërë një reagim në lidhje edhe me suksesin e saj të padiskutueshëm. Mund të quhet pa frikë fare një super sukses sepse realisht seriali “Bridgerton” theu rekorde të jashtëzakonshme shikueshmërie dhe klikimesh në një kohë shumë të shkurtër kohore.

Teksa të gjithë po prisnin lajmin e vazhdimit të një sezoni të dytë me të gjithë aktorët së bashku, kjo gjë nuk arriti që të finalizohej për një arsye shumë të madhe. Aktori i njohur dhe që kishte një nga rolet më kryesore në këtë serial, Regé-Jean Page lajmëroi të gjithë ndjekësit dhe fansat e tij se nuk do të ishte më pjesë e sezonit të dytë të “Bridgerton”. Megjithatë, Rhimes pranoi se ajo është shumë dakord me vendimin e aktorit britanik.