Krijuesit e serialit Bridgerton kanë konfirmuar më në fund se Hannah Dodd do të jetë në rolin kryesor në sezonin e ardhshëm të dramës së famshme historike. Pas shumë spekulimesh, Netflix njoftoi se sezoni i pestë do të përqendrohet te historia e dashurisë mes Francesca Bridgerton dhe Michaela Stirling (e luajtur nga Masali Baduza), duke shënuar për herë të parë në këtë seriai një romancë që ka në qendër persona të së njëjtës gjini.
Ky ndryshim përbën edhe një devijim nga historia e Francesca-s në romanin When He Was Wicked. Në libër, ajo bie në dashuri me kushëririn e bashkëshortit të saj të ndjerë, Michael Stirling, por në adaptimin televiziv ky personazh është ndryshuar në një version femëror.
Producentja kryesore Jess Brownell ka deklaruar më herët:
Nuk doja thjesht të shtoja një personazh për hir të përfaqësimit. Dua të tregoj një histori që pasqyron realisht përvojën queer dhe kur lexova për herë të parë librin e Francesca-s, u ndjeva shumë e lidhur me të si grua queer.
Ajo shtoi se identifikohet me Francesca-n, e cila në libra përshkruhet si dikush që ndihet “ndryshe” pa e kuptuar plotësisht arsyen. “Si grua queer, një pjesë e madhe e përvojës sime, dhe e shumë miqve të mi, lidhet pikërisht me këtë ndjenjë dhe me mënyrën si e kupton atë,” shpjegoi ajo.
Autorja e librit, Julia Quinn, e ka mbështetur këtë ndryshim, duke theksuar: “Kushdo që më ka ndjekur këto katër vitet e fundit e di se jam e përkushtuar që universi i Bridgerton të bëhet më i larmishëm dhe gjithëpërfshirës në kalimin nga libri në ekran.” Xhirimet për sezonin e pestë kanë nisur zyrtarisht, pas suksesit të sezonit të katërt që përfundoi muajin e kaluar. Megjithatë, fansat mund të duhet të presin ende, pasi sezoni me Francesca dhe Michaela pritet të publikohet jo më herët se fundi i vitit 2027.