Sipas raportit zyrtar të Mjekut Ligjor të Qarkut të Los Angeles, vdekja e tij u shkaktua nga efektet e kombinuara të fentanilit, metamfetaminës dhe lidokainës, ndërsa mënyra e vdekjes është cilësuar si aksidentale. Autoritetet e konfirmuan këtë informacion të martën, më 13 janar.
Lajmi i trishtë u konfirmua fillimisht nga vetë Jackson Browne, 77 vjeç, anëtar i Rock & Roll Hall of Fame dhe aktivist i njohur, përmes një postimi në Facebook më 26 nëntor.
Në deklaratën e tij, artisti kërkoi privatësi dhe respekt për familjen, duke bërë të ditur se Ethan u gjet pa ndjenja në banesën e tij dhe ndërroi jetë atë mëngjes.
Ethan Browne ishte djali i Jackson Browne dhe Phyllis Major, e cila i dha fund jetës së saj kur ai ishte ende fëmijë. I rritur mes sfidave personale dhe hijes së famës së të atit, Ethan arriti të krijojë identitetin e tij profesional, duke ndërtuar një karrierë si model dhe aktor.
Ai u shfaq në fushata mode për emra të njohur si Isaac Mizrahi dhe luajti në filmin “Raising Helen” në vitin 2004, përkrah Kate Hudson.
Përveç aktrimit dhe modelingut, Ethan ishte edhe themelues i Spinside Records, një degë e labelit të pavarur të familjes Browne, duke treguar prirjet e tij krijuese dhe pasionin për muzikën.
Në intervista të mëparshme, Jackson Browne e ka përshkruar të birin si një shpirt të ndjeshëm, krijues dhe një baba të përkushtuar, duke shprehur krenarinë për njeriun që ishte bërë. Artisti ka edhe një djalë tjetër, Ryan, 43 vjeç, nga një martesë e mëparshme.
Humbja e Ethan Browne ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe fansat e këngëtarit legjendar, duke rikthyer vëmendjen te plagët e heshtura që shpesh fshihen pas jetës publike dhe famës.