Health & Beauty

Zbuloni se kur është koha më e mirë për të matur pulsin!

Vlerat normale të pulsit në qetësi tek të rriturit variojnë nga 60 deri në 100 rrahje në minutë. Pulsi rritet në gjendje stresi, ankthi dhe gjatë aktivitetit fizik. Vlera disi më të ulëta të pulsit në qetësi vërehen shpesh te sportistët dhe personat në formë të mirë fizike dhe nuk janë shenjë sëmundjeje. Megjithatë, kur pulsi në qetësi është vazhdimisht mbi 90 rrahje në minutë, edhe pse ende brenda kufijve “normalë”, rekomandohet një kontroll te mjeku i familjes. Mjekët theksojnë se pulsi i lartë nuk është gjithmonë arsye për shqetësim. Ai shpesh është pasojë e stresit, dehidratimit, gjumit të dobët ose faktorëve të tjerë të stilit të jetesës që e ngarkojnë sistemin kardiovaskular.

Vlera e pulsit në qetësi ofron një pasqyrë të shpejtë mbi punën e zemrës, thotë kardiologu dhe specialisti i mjekësisë vaskulare dr. Ian Del Conde Pozzi. Teknologjitë digjitale mundësojnë kontroll të lehtë të pulsit në qetësi. Orët inteligjente, byzylykët e fitnesit, madje edhe matja e thjeshtë me prekje, mund të na japin një ide për çrregullime të mundshme ose të konfirmojnë shëndet të mirë. Një puls më i lartë në qetësi mund të tregojë se zemra po punon më shumë seç duhet. Studimet tregojnë se personat me puls më të lartë në qetësi kanë rrezik më të shtuar për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, goditje në tru dhe madje vdekje të parakohshme, pavarësisht faktorëve të tjerë të rrezikut si kolesteroli apo presioni i gjakut.

Pulsi në qetësi nuk është një vlerë statike, por pasqyrim i stilit të jetesës; ai varet nga forma fizike dhe zakonet tona. Vlera më e saktë e pulsit në qetësi merret menjëherë pas zgjimit, para konsumimit të kafesë ose aktivitetit fizik. Me gishtin tregues dhe të mesëm gjeni pulsin në kyçin e dorës ose në qafë, numëroni rrahjet për 60 sekonda dhe shënoni vlerën. Mjekët theksojnë se çdo trup është i ndryshëm’ disa persona kanë puls normal rreth 75, të tjerë 60. Nëse vlerat e pulsit rriten gradualisht gjatë javëve ose muajve, kjo mund të tregojë sëmundje, stres të fortë ose mungesë aktiviteti fizik. Nëse presioni i gjakut rritet bashkë me pulsin, është e mundur që trupi të reagojë ndaj stresit, kafeinës ose mungesës së gjumit.

Në të kundërt, një puls më i ulët në qetësi, i shoqëruar me presion të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të gjakut, shpesh tregon një sistem kardiovaskular të fortë dhe efikas. Ndjekja e të dy parametrave i ndihmon pacientët dhe mjekët të dallojnë tendencat dhe të kuptojnë se si zakonet e përditshme, si ushtrimet fizike, ushqyerja dhe relaksimi, ndikojnë në shëndetin e zemrës. Rritja e përkohshme e pulsit mund të jetë pasojë e dehidratimit, stresit, temperaturave të larta ose konsumimit të kafeinës. Nëse pulsi në qetësi është vazhdimisht mbi 90, pa ndonjë arsye të qartë, ndërkohë që personi është i pushuar, pi mjaftueshëm ujë dhe nuk është nën stres, do të ishte mirë të bëhej një kontroll dhe diagnostikim. Mund të bëhet fjalë për ndonjë problem vaskular.

Nga ana tjetër, edhe pse pulsi i ulët në qetësi mund të tregojë formë të mirë fizike, vlerat shumë të ulëta (nën 50 rrahje në minutë te personat që nuk janë sportistë) mund të jenë shqetësuese, sidomos nëse shoqërohen me marramendje, lodhje ose humbje ndjenjash. Në disa raste, medikamente si beta-bllokuesit ose çrregullime të ritmit të zemrës mund ta ngadalësojnë punën e saj. Një puls 48 te sportistët mund të jetë normal; një rënie e papritur në 48 te një person fizikisht joaktiv mund të kërkojë vlerësim mjekësor.

Aktiviteti aerobik i moderuar, si ecja, çiklizmi ose noti, forcon muskulin e zemrës dhe e bën atë të pompojë gjakun më efikas, duke ulur pulsit në qetësi. Cilësia e dobët e gjumit ose mungesa e orëve të gjumit mund të rrisë pulsin dhe presionin e gjakut. Frymëmarrja e thellë, joga, meditimi ose disa minuta qetësie në natyrë mund të ulin aktivizimin e sistemit nervor autonom dhe të ulin pulsin. Dehidratimi e detyron zemrën të punojë më fort, ndërsa stimulantët mund ta rrisin përkohësisht pulsin. Mbipesha mund të rrisë presionin e gjakut dhe të shtojë ngarkesën mbi zemrën. Kur pulsi në qetësi ulet me kalimin e kohës, për shembull nga 80 në 65, kjo është shenjë se personi është bërë më aktiv dhe po humb peshë të tepërt.