Është mirë që shtatzënat të mos pinë më shumë se një ose dy filxhanë kafe në ditë. Sipas një studimi, gratë që kanë konsumuar më shumë se 200 mg kafeinë në ditë, kanë pasur rrezik dyfish më të lartë për abort krahasuar me gratë të cilat nuk kanë konsumuar fare kafeinë. Kafeina është stimulant dhe bën që zemra të rrahë më shpejt. Përveç kësaj kafeina shkakton pagjumësi dhe ju bën që të ndjeheni të shqetësuar. Kafeina shkakton urthin sepse e stimulon sekretimin e acidit të lukthit.
Të gjitha këto efekte janë shumë më të shprehura sa më shumë që të përparojë shtatzënia për shkak se organizmi e ka më të vështirë që ta metabolizojë kafeinën dhe rrjedhimisht kafeina qëndron më gjatë në organizëm. Në tremujorin e dytë të shtatzënisë koha e metabolizimit të kafeinës është dyfish më e gjatë krahasuar me periudhën jashtë shtatzënisë. Në tremujorin e tretë nevojitet trefish më shumë kohë për ta metabolizuar kafeinën krahasuar me kohën jashtë shtatzënisë.
Në këtë rast kafeina qëndron më gjatë në qarkullimin e gjakut, më shumë kafeinë kalon placentën dhe mbërrin në gjakun e bebes të cilën bebja nuk mund ta metabolizojë. Kjo vlen edhe për bebet e posalindura, prandaj nuk është mirë që edhe një grua lehonë të pijë shumë kafe teksa është duke e ushqyer beben me gji.
Një arsye tjetër se përse nuk duhet tepruar me kafe dhe me çaj është se pa marrë parasysh se a janë me kafeinë ose të dekafeinizuara, të gjitha këto pije kanë substanca të cilat quhen fenole. Fenolet e bëjnë më të vështirë që të përthithet hekuri nga zorrët. Rekomandohet që kafen ose çajin ta pini midis dy racioneve të ushqimit në mënyrë që të ndikojë më pak në përthithjen e hekurit.
Bebet e porsalindura, nënat e të cilave kanë konsumuar më shumë se 500 mg kafeinë në ditë, kanë pasur rrahje më të shpeshta të zemrës dhe në ditët e para pas lindjes kanë fjetur më pak. Nuk ka lidhje midis konsumit të moderuar të kafeinës dhe lindjes së parakohshme. Po ashtu, konsumimi i kafeinës nuk e rrit rrezikun e hipertensionit gestacional dhe preeklampsisë. Sasia e kafeinës dallon nga lloji i kafes dhe nga mënyra si përgatitet si dhe nga madhësia e filxhanit në të cilin serviret. Nuk duhet harruar se kafeinë ka edhe në pije të tjera, pijet energjike, në çokollatë dhe në akullore.