Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri të ditur se nesër do të mbahet një raund i ri i bisedimeve me Moskën në Turqi. Kjo në kohën kur Perëndimi po rrit presionin ndaj Kremlinit për të rënë dakord mbi një armëpushim, ndonëse forcat ushtarake ruse vazhdojnë të kryejnë sulme vdekjeprurëse në Kiev e të tjera qytete ukrainase.
Kam diskutuar me Rustem Umerovin lidhur me përgatitjet për këmbim të të burgosurve dhe për një takim me palën ruse në Turqi, u shpreh Zelensky, referuar shefit të ri të Këshillit ukrainas për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen. Umerov raportoi se takimet janë planifikuar të mbahen më 23 korrik.
Më parë, Umerov ka mbajtur pozitën e ministrit të Mbrojtjes dhe ka drejtuar dy raunde takimesh me Rusinë. Të dielën, Zelensky bëri të ditur se i ka dërguar Moskës një ofertë për raunde të reja bisedimesh në javët e ardhshme, meqë takimet e zhvilluara muajin e kaluar nuk çuan në përparim drejt paqes.
Sipas tij, duhet bërë gjithçka që të arrihet armëpushimi.
Pala ruse duhet t’i japë fund fshehjes nga vendimmarrja.
Nëse palët takohen në Turqi, ky do të jetë takimi tyre i parë pas shtatë javësh. Qeveria turke saktësoi se bisedimet do të zhvillohen në Stamboll.
Kremlini nuk e ka konfirmuar datën apo vendin e raundit të ri të bisedimeve, duke thënë vetëm se është në pritje të më shumë hollësive. Po ashtu, u shpreh se palët vazhdojnë të kenë pozicione “diametralisht të kundërta”, rreth asaj se si e shohin përfundimin e konfliktit.
Gjëja më e rëndësishme për ne është që t’i arrijmë synimet tona. Ato janë të qarta e nuk kanë ndryshuar.
Moska ka insistuar se çdo marrëveshje për paqe duhet të përfshijë heqjen dorë të Ukrainës nga katër rajonet që Rusia i ka aneksuar ilegalisht në shtator të vitit 2022, por asnjëherë nuk i ka zotëruar plotësisht. Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur i indinjuar me mungesën e përparimit dhe i ka dhënë Moskës afat 50 ditor që të pajtohet për një marrëveshje, ose në të kundërtën do të përballet me sanksione të ashpra.
Presidenti rus, Vladimir Putin i ka refuzuar ftesat e Zelensky-t për një takim ballë për ballë dhe shpesh e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e liderit ukrainas.