Aktualitet Politikë

Zgjedhjet e 11 Majit, Berisha: Farsa nuk njihet kurrë!

Sot në një dalje për mediat, Sali Berisha përsëriti qëndrimin se ajo që e quan “farsa zgjedhore e 11 Majit, nuk do të njihet kurrë”. Kryetari demokrat solli një denoncim me video si blihen votat në Tiranë.

Personazhet në video janë të identifikuar plotësisht. Janë eksponentë të thekur të PS-së. Të bëjmë një marrëveshje: A mund të quhen zgjedhje, zgjedhjet në të cilat shteti, i quajtur shtet, përdor të gjithë financat e tij për të blerë vota? Përdor të gjithë fuqinë ekzekutive, me leje, me licenca, etj, për të blerë vota.

A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat shteti licencon mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis nga 200 hektarë që parashikon ligji çdo vit? A mund të quhen zgjedhje? Se duhet të bëjmë një marrëveshje fjale. A mund të quhen zgjedhje kur shteti përdor në kundërshtim me ligjin 500 milion euro prokurime?

Kur shteti fal 200 milion euro. Po marr vetëm këto, për të mos thënë pastaj ndikimin e tmerrshëm të karteleve. Pra, unë po flas çfarë është shteti. Narkoshteti është akoma më i zi.

Kjo është jo vetëm farsë, por një farsë poshtëruese që shqiptarët nuk do ta pranojnë.

Nuk mjaftuan 76 milion euro të shpërndara publikisht. Nuk mjaftuan 200 milion euro gjoba dhe kamata të falura, 500 milion euro prokurime dhe koncesione. Por, kalojnë duke shpërndarë para nëpër qoshe për të blerë vota. Këto zgjedhje nuk njihen kurrë. Këto zgjedhje janë farsë dhe nuk janë zgjedhje. Pra, kjo farsë nuk njihet kurrë.

Ndaj dhe ne paraqesim para medieve, para shqiptarëve dhe para komunitetit ndërkombëtar, fakte të pakundërshtueshme të farsës që delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Ishte shumë demonstrues ky rast sepse është shumë e rrallë të kapësh ndarjen e parave. Po ja që është evident. Këta janë të njohur si persona. Gjithçka është e identifikuar.

Kush e shtron sot problemin se ku është narkoshteti, është ushtar i Pojës! Shqipëria është toka e kokainës, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij para gazetarëve në selinë blu.