Aktualitet Politikë

Zgjedhjet e 11 Majit, KAS-i shqyrton Kukësin/Vendimi jepet më 2 qershor!

KAS-i zhvilloi mbledhjen e shtyrë të tre ditëve më parë për ankimimin e PD-ASHM, për rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit në qarkun e Kukësit, që KQZ-ja i certifikoi duke mos konstatuar parregullsi serioze që të çonin te rinumërimi apo përsëritja e tyre, nëpërmjet shpalljes së pavlefshmërisë.

Opozita nuk u tërhoq nga pretendimet se pati deformim të votës së Diasporës, manipulim rezultatesh, përdorim të administratës shtetërore, presione e deri te parregullsitë e tjera, si përfshirja e bandave kriminale. Sot ishte dita kur PD-ja duhej të paraqiste provat e pretenduara sipas vendimit të mbledhjes së kaluar, që më tej KAS t’i shqyrtojë nëse qëndrojnë e në fund të shprehet me vendim.

Në fund të mbledhjes, pasi u dëgjuan pretendimet e opozitës për provat e paraqitura, KAS-i mbylli mbledhjen dhe caktoi të hënën, 2 qershor, si ditën e fundit të diskutimit për këtë ankimim dhe shpalljen e vendimit final.

Mbledhjen e kaluar, KAS-i rrëzoi tre kërkesa të PD-së: për të hapur kutitë, kryqëzimin e shenjave të gishtave nga pajisjet PEI me votuesit dhe kërkesën për vënen në dispozicion të regjistrave të posaçëm të çdo qendre votimi.

Nga ana tjetër KAS, pranoi të shikohen firmat e votuesve në Diasporë e që janë sjellë në KQZ nga kompania postare DHL, si edhe raportin e audituesve teknicienë.  Këto dy pika u diskutuan edhe sot.

Franc Nuri, përfaqësuesi ligjor i PD-së, këmbënguli se provat janë të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun Kukës. Ai u shpreh se shumë nga votat e Diasporës kanë një dorë që ka kryer firmosjen e dokumenteve të zarfeve apo të fletëve të votimit. Këto pretendime janë rrëzuar nga KQZ-ja.