Vijon procesi i numërimit të votave për subjektet zgjedhore e në disa qarqe ka nisur dhe numërimi i votave preferenciale për kandidatët në listat e hapura. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e KQZ-së, janë numëruar rreth 5 mijë qendra votimi nga 5 mijë e 225 në total.
Durrësi, Fieri dhe Tirana janë qarqet ku ende ka kuti të pahapura për subjektet politike, ndërsa të tjerat pothuajse kanë përfunduar. Momentalisht, mandatet mbeten të pandryshuara me Partinë Socialiste që kryeson me 82 të tilla, Partia Demokratike me 51, Socialdemokratët 3, Mundësia 2 dhe Nisma Shqipëria Bëhet e Lëvizja Bashkë kanë secila nga 1.
Partia Socialiste ka kaluar 700 mijë vota duke thelluar diferencën me atë Demokratike që udhëheq koalicionin Aleanca për Shqipërinë Madhështore e që ka aktualisht ka mbi 460 mijë. Paralelisht, vijon dhe numërimi i votave të Diasporës.
Nga Parku Olimpik i Tiranës, Ilirjan Celibashi, deklaroi se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve pritet të dalë brenda javës. Në një konferencë për mediat, kryekomisioneri zgjedhor shprehu besimin se procesi do të përmbyllet në kohë, ndonëse ritmi i ngadaltë i numërimit, veçanërisht për votat e Diasporës, varet edhe nga organizimi i partive politike.
Partive politike, Celibashi iu kërkoi të ndryshojnë anëtarët e grupeve të numërimit. Për votat e Greqisë saktësoi se do t’i nënshtrohen numërimit dhe është vetëm çështje kohe. “Me këtë rast do të shqyrtohen edhe pretendimet e gjithkujt me votën e Greqisë dhe diasporës në tërësi”, tha kryekomisioneri.