Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot nga Parku Olimpik i Tiranës se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve pritet të dalë brenda javës.
Në një konferencë për mediat, ai tha se ka besim se procesi do të përmbyllet në kohë, ndonëse ritmi i numërimit, veçanërisht për votat e diasporës, varet edhe nga organizimi i partive politike.
“Besoj se brenda kësaj jave do ta kemi rezultatin. Kam shumë besim se do përfundojmë brenda kësaj jave,” u shpreh Celibashi.
Ai theksoi se, ndonëse ky nuk është një justifikim, shumëçka varet nga mënyra se si partitë, veçanërisht PS dhe PD, do të menaxhojnë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre në numërimin e votave nga jashtë vendit.
I pyetur mbi ritmet e ngadalta të numërimit të fletëve të votimit nga jashtë vendit, Celibashi theksoi se procesi po vonohet për shkak të ngarkesës së lartë administrative dhe lodhjes së komisionerëve.
LEXO EDHE: Mbyllet numërimi në Librazhd, PS fiton me 5879 vota ndaj PD!
“Procesi po merr shumë kohë për të numëruar dhe vlerësuar fletët e votimit nga jashtë, për shkak të ngarkesës së madhe në përpunimin e dokumentacionit përkatës. Dje humbëm mjaft kohë për shkak të debateve për fletët e votimit nga jashtë,” – u shpreh Celibashi.
Ai shtoi se ngadalësimi i ritmit lidhet edhe me faktin se ky është një proces i ri për pjesën më të madhe të komisionerëve.
“Ritmet janë të ulëta jo për mungesë dëshire, por për shkak të performancës. Janë të lodhur, disa janë që prej 48 orësh non stop në këto ambiente,” – tha Celibashi.
Në përfundim, kreu i KQZ-së u bëri thirrje partive politike të angazhuara në proces që të rinovojnë përbërjen e ekipeve të tyre të numërimit, për të shmangur lodhjen dhe për të garantuar efiçencë në vijimësinë e procesit.