Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Zgjedhjet e 11 Majit, vazhdon numërimi i votave për kandidatët në listat e hapura!

Në Tiranë vazhdon numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Shifrat tregojnë për një betejë të fortë mes kandidatëve brenda partive. Sipas të dhënave zyrtare që ofron KQZ-ja, në Tiranë, për Partinë Demokratike kryeson në listën e hapur Jorida Tabaku me 11.855 vota, duke lënë pas me 1 mijë vota Ilir Alimehmetin, i cili shihej si pretendent për të fituar mandatin e deputetit.  Partia Socialdemokrate ka marrë një mandat deputeti, po aq edhe Nisma-Shqipëria Bëhet e Lëvizja Bashkë.

Te socialistët, me 19 mandate në kryeqytet kryeson Blendi Gonxhja me 15.693 vota, Ervin Hoxha me 12.863, Erion Braçe me 11.613, Fatmir Xhafaj me 8.516, Ornaldo Rakipi me 6.129, Anila Denaj me 4.321 vota dhe ka hyrë në listën fituese Kejsi Elezi me 3.944 vota, duke lënë pas kandidatë si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Blerina Gjylameti, Olta Xhaçka, etj.

Për opozitën, mandati duket i pamundur për Ilir Metën, për Dashamir Shehin dhe Lulzim Bashën, të cilët u vendosën në listat e hapura të kryeqytetit. Sipas këtyre të dhënave, PS do të çojë në Kuvend 7 deputetë për Tiranën nga lista e hapur, ndërsa Partia Demokratike vetëm një.

Lezha mbyll preferencialet, 2 kandidatë nga lista e hapur e PD-së dhe një e PS-së:

Të dhënat për qarkun Lezhë tregojnë diferencën me 1 votë mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste me një rezultat shumë të ngushtë duke bërë që vota e Diasporës të jetë përcaktuese.

Sipas rezultateve të deritanishme, të djathtët kanë siguruar 4 mandate, prej të cilëve dy nga lista e mbyllur dhe dy nga preferencat e votuesve. Nga rezultatet e deritanishme, kandidati i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni  rezulton me i votuari ne rang qarku, me 8873 vota, pasuar nga Kastriot Piroli me 5632.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste merr 3 mandate, për t’u përfaqësuar në Kuvend e Ulsi Manja dhe Ermal Pacaj nga lista e mbyllur, nga lista e hapur vota preferenciale nxori Marjeta Nelin me 6745 vota duke spostuar Pranvera Skanën.