Vendimtare duket vota e Diasporës për qarkun e Lezhës ku numërimi i të gjitha votave të hedhura fizikisht në kutitë e votimit brenda vendit përfundoi në favor të Partisë Demokratike me një avantazh me rreth 2 mijë vota kundrejt Partisë Socialiste. Sytë janë drejtuar nga vota e Diasporës që do të përcaktojë zyrtarisht ndarjen e mandateve për qarkun e Lezhës, cila parti do të mbajë 4 apo 3 vende në Kuvendin e ri.
Si Partia Socialiste, ashtu edhe ajo Demokratike po presin deri në votën e fundit, pasi mund të përcaktojë mandatin e fitores për qarkun e Lezhës. Me numërimin që vijon, të majtët rezultojnë në avantazh të lehtë kundrejt të djathtëve. Por, emrat e të paktën 4 deputetëve të zgjedhur për qarkun e Lezhës tashmë janë konfirmuar, të përfshirë në listën e mbyllur.
Për Partinë Demokratike janë Agron Gjekmarkaj dhe Elda Hoti, ndërsa për Partinë Socialiste, Ulsi Manja dhe Ermal Pacaj. Tashmë lufta në këtë qark bëhet në listat e hapura, ku secili prej kandidatëve ka një shans të fundit.
Në kampin socialist është garë e fortë mes kandidatëve Pranvera Skana që ka një epërsi me vota kundrejt Aurora Gjeloshit dhe Admir Kadelit. Ndërsa për Partinë Demokratike, Gjin Gjoni prin listën preferenciale dhe pasojnë Aleksandër Lala e Edison Doçi.
Sa i përket renditjes për partitë e tjera, në qarkun e Lezhës, Koalicioni Nisma-Shqipëria Bëhet paraqitet forcë e tretë politike dhe ndjekin Partia Socialdemokrate e Koalicioni Euroatlantik, që megjithatë nuk ia dolën të dërgonin kandidatët e tyre në parlament.