Rajoni

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ miraton afatet! 12 ditë fushatë elektorale në Kosovë!

Dymbëdhjetë ditë do të ketë fushatë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku mes tjerash janë përcaktuar edhe afatet për aktivitetet e tjera për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Fushata do të fillojë më 17 dhjetor deri më 28 dhjetor, ditën kur do të votohet dhe njëkohësisht do të ketë heshtje zgjedhore.

LEXO EDHE: Edhe me BE, edhe me Rusinë, manovrave të Presidentit serb i “del boja” te çështja e naftës

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në KQZ, Arianit Elshani tha se afati i aplikimit të vëzhguesve fillon me datën 5 dhjetor dhe përfundon më 20 dhjetor.

“Partitë politike të regjistruara të deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve në periudhën kohore prej 24 nëntorit, deri më datën 30 nëntor. Periudha e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më datën 30 nëntor, ky proces është ndryshe nga proceset tjera, është i ndarë në dy faza, bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike, ashtu siç e parasheh edhe ligji, pra janë dy afate të ndryshme. Dhe çështja e listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet prej datës 24 nëntor deri më datën 7 dhjetor. Tërheqja e shortit bëhet më 8 dhjetor. KQZ merr vendimin për emërimin e anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore më 26 nëntor dhe periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon prej datës 26 nëntor deri më datën 6 dhjetor… Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon më datën 26 nëntor dhe përfundon më datën 6 dhjetor. Periudha e votimit përmes postës fillon më 12 dhjetor dhe përfundon më datën 27 dhjetor të këtij viti. Dhe fushata zgjedhore që është e rëndësishme për subjektet politike dhe për gjithë vëzhguesit e mediat fillon më datën 17 dhjetor dhe përfundon më 28 dhjetor, pra është 12 ditë fushatë për subjektet politike”, tha Elshani.