Rajoni

Osmani shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme!

Pas diskutimeve me liderët e partive politike, presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Me këtë vendim, Kosova shkon automatikisht në proces zgjedhor, ndërs apritet gjithashtu që Presidentja Osmani të shpallë edhe datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kreu i Partisë Guxo, Faton Peci gjatë takimit me Osmanin ka propozuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzkaonshme.

Pati diskutime të ndryshme rreth opsionit më optimal dhe të favorshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në mes dy datave 21 e 28 dhjetor, ne kemi preferuar datën 28 dhjetor. Arsyet janë të thjeshta për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve lokale. Për shkak të nevojës që të kemi përgatitje më të mirë edhe nga KQZ edhe të partive politike, por njëkohësisht edhe për nevojën e të organizimit më të mirë edhe të ambasadave e konsullatave në vendet e BE-së por edhe përtej në SHBA, ky ishte propozimi ynë, deklaroi Peci.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka propozuar datën 21 dhjetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, ndërsa propozimin e partisë në pushtet që zgjedhjet të mbahen me 28 dhjetor e quajti arrogancë dhe  përbuzje për qytetarët.

Kemi propozuar që dita e zgjedhjeve parlamentare të jetë 21 dhjetori, mendojmë që në këtë mënyrë do t’i fitojmë të paktën një javë kohë vazhdimeve buxhetore. Siç e dini buxheti i Kosovës mund të funksionojë edhe janar e shkurt një e dymbëdhjeta. Po ashtu, qeveria në detyrë që është sot mund të marrë vendime për të përmbushur disa detyrime që i ka, si ndaj RTK-së apo edhe ndaj palëve të tjera, sepse ekzistojnë këto praktika. Mirëpo për të vazhduar zbatimi i buxhetit në mars, gjithsesi duhet një vazhdim nga Kuvendi i ardhshëm.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka propozuar gjithashtu datën 21 dhjetor si të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme.