Aktualitet

Zgjedhjet e pjesshme vendore, PS-ja fiton të 5-ta bashkitë!

Kandidatët e Partisë Socialiste, fitues në të pesta bashkitë ku dje u zhvilluan zgjedhje të pjesshme lokale, me pjesëmarrje të ulët. Në Mat, Berat, Cërrik, Vlorë dhe Tepelenë, mandatin prej një viti e gjysmë e siguruan kandidatët e maxhorancës, përballë rivalëve të pavarur, të mbështetur nga opozita.

Fituesit janë Brunilda Mersini në Vlorë, Ervin Ceca në Berat, Florenc Doka në Cërrik, Gramos Sako në Tepelenë dhe Altin Bojni në Mat. Që të 5-të do të drejtojnë bashkitë respektive deri në pranverën e vitit 2027. Të drejtë vote kishin mbi 334 mijë qytetarë dhe në mbyllje të qendrave të votimit, vetëm 18.45% prej tyre e ushtruan.

Pjesëmarrja më e ulët ishte në Vlorë, atje ku kandidatja e maxhorancës, Brunilda Mersini, e cila dorëzoi mandatin e deputetes, fitoi thellë ndaj rivalit të mbështetur nga PD-ja. Nga 144 mijë qytetarë të Vlorës, vetëm 18 111 prej tyre votuan të dielën ose 12.54%, me Mersinin që siguroi 15672 vota ndaj 2333 që mori Dionis Sota. Kandidati i tretë Gjergji Nika e mbylli garën me 1975 vota.

Në Bashkinë e Beratit, Ervin Ceca i Partisë Socialiste fitoi bindshëm me 13050 vota kundrejt rivalit direkt Pavlo Shkarpa, me 2607.

Në Cërrik, Florenc Doka i PS-së, 6201 vota. Kandidati Amarildo Hoxha 1888. Në garë në këtë bashki ishte dhe Eligert Hima nga “Shqipëria Bëhet” që grumbulloi 1275 të preferencave.

Altin Bojni do të jetë kryetari i ri i Bashkisë së Matit, pasi fitoi bindshëm ndaj Eduard Brahilikës. Në këtë garë edhe pse kishte një përçarje nga radhët e maxhorancës, Suzana Pasha nuk mundi të dalë më shumë se e treta.

Tepelena mbetet në duart e socialistëve. Gramoz Sako mori 77% të votave në këtë bashki, kundrejt 22% që shkuan për kandidatin e mbështetur nga opozita Gabriel Guma.

Kryesisht, zgjedhjet shkuan pa probleme dhe incidente madhore që mund të cënonin integritetin e tyre. Policia e Shtetit kishte angazhuar në terren më shumë se 615 efektivë, teksa për herë të parë u përdor Inteligjenca Artificiale për numërimin e votave në Bashkinë e Tepelenës.