Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë/ Nesër fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë ditës së martë, në Qendrat Komunale të Numërimit, do të fillojë procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha për RTKlive se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së 16/2024 për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.

“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, tha ai.

Ka përfunduar para pak minutave numërimi i votave të rregullta në Prishtinë, një ditë pas zgjedhjeve.

Sipas rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Prishtinë parti e parë është Lëvizja Vetëvendosje me 54.696 vota apo 46.91 %.

Po ashtu bëhet me dije se në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 29.889 vota apo 25.63 %, ndërsa e treta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.326 vota apo 18.29 %.

Deri më tani, kur partia e kryeministrit Albin Kurti në të gjithë Kosovën është në kuotën e 41 %, ende nuk dihet se më kë do të bëjë VetëVendosja koalicion, për formimin e Qeverisë së re.