Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se deri në orën 11:00, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të Kosovës ishte 8.58%. Pra, nga 1 milion e 970 mijë e 944 votues të regjistruar, 169 mijë e 32 prej tyre kanë votuar në katër orët e para të procesit të votimit.
Dalja është pak më e lartë se në zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 2021-shin, kur deri në orën 11:00 kishin votuar 8.3% apo 145 mijë e 650 qytetarë, po deri në orën 11:00 të katër viteve më parë. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili foli gjatë një konference për media, vlerësoi se procesi po shkon normalisht.
I pyetur nëse ka pasur probleme për hapjen e qendrave të votimit, Radoniqi u shpreh se ka pasur disa probleme në qendrat e votimit me kusht e që kanë të bëjnë me llogaritë për ato qendra. Por, vuri në dukje se procesi është në rregull.
Edhe më herët, liderët politikë në Kosovë bënë thirrje për pjesëmarrje:
Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. I falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë votuar deri tani dhe inkurajoj çdonjërin që të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet, përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vitet e ardhshme, tha kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në këtë ditë të demokracisë, ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre dhe Republikës së Kosovës për katër vitet e ardhshme. Eshtë ditë feste, për ne si LDK, për popullin e Kosovës zgjedhjet janë gjithmonë festë, deklaroi kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
I lus të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të zgjedhur qeverinë për katër vitet e ardhshme. Uroj që gjithçka të shkojë mirë, besoj se gjithçka do të shkojë mirë dhe në fund sovrani vendos, vuri në dukje kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni të votoni, vota juaj ka vlerë vetëm në kuti dhe Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara dhe suksese, tha kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.