Politikë

Zgjedhjet në Tiranë/ Rama mbledh strukturat e PS për kryeqytetin, teksa Veliaj kërkon pezullimin e dekretit të Presidentit!

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur strukturat politike të Tiranës në kuadër të punës për zgjedhjet e pjesshme të  9 nëntorit. Takimi mes Ramës dhe socialistëve të kryeqytetit po zhvillohet në një prej hoteleve në qendër të Tiranës.

Partia Socialiste ka zgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, ndërsa Belinda Balluku është caktuar si drejtuesja e fushatës së PD për zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet.

Të pranishëm në këtë takim janë ministra, deputetë dhe ish-deputetë socialistë, të cilëve Edi Rama u ka kërkuar mobilizim maksimal për të mbështetur kandidaten Ogerta Manastirliu.

Kryeministri duket se është i pashqetësuar nga lëvizjet që ka ndërmarrë Erion Veliaj, i cili bëri ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të 25 shtatorit për shkarkimin si kryebashkiak i Tiranës dhe më pas dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet.

Një ditë më parë, avokatët e Veliajt iu drejtuan sërish Kushtetueses duke kërkuar pezullimin e dekretit të Begajt. Kreu i shtetit i dekretoi zgjedhjet edhe për kryeqytetitin pavarësisht ankimimit të Veliajt me argumentin  se ankesën duket ta kishte bërë në Gjykatën Administrative, e jo në Kushtetuese.

Këshilli i Ministrave shkarkoi më 25 shtator nga detyra me kërkesë të Këshillit Bashkiak të Tiranës Erion Veliajn. 4 ditë më vonë kryebashkiaku ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë. Veliaj pretendon për një proces të parregullt ligjor, pasi jo vetëm nuk është dëgjuar, por sipas tij nuk është marrë në konsideratë neni 115 i Kushtetutës, i cili parashikon se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet për shkak të shkeljeve të rënda. Veliaj thotë se jo vetëm që nuk ka shkelje të provuara, por edhe mungesa e tij në punë, që u bë shkak për shkarkim, nuk varet nga vullneti i tij.

Edhe pse neni 115 pezullon shkarkimin e Veliajt, Begaj nuk priti Kushtetuesen dhe dekretoi datën 9 Nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë. Presidenca argumenton se pezullimi i shkarkimit do të vinte vetëm në rast se Veliaj do ishte ankuar në një Gjykatë Administrative, e do të kishte një vendim prej saj.

Por teksa socialistët po vijojnë punën për zgjedhjet në Tiranë dhe kanë zgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate, nga ana tjetër opozita po vijon takimet negociuese për të përzgjedhur një kandidat të përbashkët.