Politikë

Zgjedhjet në Tiranë/ Rama mbledh strukturat e PS për kryeqytetin, u ndan detyrat dhe zonat!

Për rreth 40 minuta, Edi Rama mblodhi strukturat drejtuese të Partisë Socialiste të kryeqytetit për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Takimi mes Ramës dhe socialistëve të kryeqytetit, që nisi në orën 17:00 dhe përfundoi rreth orës 17:40, u zhvillua në një prej hoteleve në qendër të Tiranës.

Partia Socialiste ka zgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, ndërsa Belinda Balluku është caktuar si drejtuesja e fushatës së PS për zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet.

Të pranishëm në këtë takim ishin ministra, deputetë dhe ish-deputetë socialistë, të cilëve Edi Rama u kërkoi mobilizim maksimal për të mbështetur kandidaten Ogerta Manastirliu.

Kryeministri Rama u ka ndarë detyrat dhe zonat për ekipin e Tiranës. Kushdo nga ministrat, drejtuesit politik dhe deputetët që është rezident në Tiranë dhe që nuk kanë zgjedhje në qarkun që kanë mbuluar më herët, janë vendosur në Tiranë për zgjedhjet e pjesshme.

Kështu, Toni Gogu do të mbulojë zonën e Ndroqit, Fatmir Xhafaj do të jetë i angazhuar në Njësinë 10. Blendi Klosi dhe Eduard Shalsi rikthehen në Tiranë vetëm për fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit. Ulsi Manja po ashtu do të angazhohet në Tiranë. Ish-deputeti i PS, Xhemal Qefalia, do të jetë i angazhuar në zonën e Dajtit, të cilën e ka pasur edhe më herët. Igli Hasani dhe Bora Muzhaqi do të angazhohen në Njësinë Nr.8.

Ndërsa Elisa Spiropali do të jetë e paangazhuar në këto zgjedhje të parakohshme të Tiranës, Rama nuk e ka deleguar në asnjë zonë.

Por teksa mbledhja me strukturat zgjati 40 minuta, Edi Rama vijoi takimin me dyer të mbyllura vetëm me Ogerta Manastirliun dhe Belinda Ballukun.

DREJTUESIT E PS NË NJËSITË ADMINISTRATIVE TË TIRANËS:
Lindita Nikolla, Adea Pirdeni, Ervin Hoxha – Njësia 1
Olta Xhaçka, Arben Pellumbi, Blendi Klosi – Njësia 2
Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Delina Ibrahimaj – Njësia 3
Blerina Gjylameti, Eduard Shalsi – Njësia 4
Erion Braçe, Niko Peleshi, Taulant Balla – Njësia 5
Blendi Gonxhe, Ceno Klosi –  Njësia 6
Etilda Gjonaj, Iris Luarasi, Ulsi Manja – Njësia 7
Igli Hasani, Milva Ekonomi, Bora Muzhaqi – Njësia 8
Mimi Kodheli, Besfort Lamallari – Njësia 9
Fatmir Xhafa, Ermal Elezi – Njësia 10
Albana Koçiu, Erion Malaj, Rakip Suli – Njësia 11
Xhemal Qefalia, Ornaldo Rakipi për zonat rurale
Anila Denaj, Sofjan Jaupaj – Njësia 13 (Farkë)