Kryetari e Partisë Socialiste Edi Rama ka vijuar sot (25 mars) turin e tij në qarkun e Lezhës, ku pas inspektimeve dhe vizitave, mes tyre edhe ai te shtëpia e poetit Gjergj Fishta, ka mbledhur strukturat lokale dhe kandidatët për deputetë.
I rrethuar nga të rinjtë ai prezantoi skuadrën e re për Shqipërinë në BE 2030, moto elektorale për këto zgjedhje në fushatën që pritet të nisë.
“Mes energjisë së të rinjve, prezantojmë skuadrën e re për Shqipërinë në BE”, shprehet kryeministri.
Fjalimin e hapi kreu politik i qarkut të Lezhës për PS-në, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, që tha se “vetëm Partia Socialiste mund ta realizojë anëtarësimin e vendit në familjen europiane të BE-së”.
Ai bëri edhe prezantimin e të gjithë kandidatëve emër për emër, dy në listën e sigurt dhe 7 të tjerët në listën e hapur.
“Votoni për numrin 5, PS-në dhe kryeministrin Edi Rama. Lista e kandidatëve është me moshë të re, me përjashtim mua, që ta udhëheqim partinë drejt mandatit të katërt dhe fitoren në këtë qark”, tha Manja, teksa i ftoi mes emocionesh kandidatët në skenë.
Në fjalën e tij, kryeministri, teksa bëri batutë me fjalimin e ministrit Manja, që tha se Edi Rama do jetë në detyrë edhe në fitoren e mandatit të pestë (duke parashikuar një mandat shtesë përtej 2030), kujtoi se për atë mund të fliste vetë.
“Jo se PS nuk do marri mandatin e pestë. Për pjesën time nuk flet Ulsiu, flas vetë. Por Ulsiu deputet po, ministër po, prokuror po, por thonë të tjerët se mos di ndonjë gjë Ulsiu. Ja sa dorëzove ti detyrën, ra qetësia (batutë dhe për foninë që pati probleme)”.
Ai ftoi të rinjtë që të bëheshin pjesë e projektit të PS për të ardhmen europiane të vendit.
“Përfituesit më të mëdhenj të 11 majit do jetë gjenerata juaj, për Shqipërinë në BE. Do jeni ju masivisht, që mbështesni planin europian, planin ambicioz për mbyllje negociatash më 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade”, shtoi kryeministri.