Zjarr në një azil të moshuarish në Serbi, 8 viktima dhe 7 të plagosur. Flakët shpërthyen herët në mëngjes, në komunën e Barajevës, në jug të Beogradit. 13 vetë u evakuan. Referuar të dhënave fillestare, ka shenja se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme. Të evakuarve iu sigurua strehim i menjëhershëm.
Tetë persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë lënduar, si pasojë e zjarrit në një shtëpi të moshuarish, në periferi të kryeqytetit serb, Beograd, siç raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS). Zjarri shpërtheu rreth orës 03:30 të mëngjesit në komunën e Barajevës, në jug të Beogradit.
Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviç, konfirmoi se 13 vetë u evakuan nga objekti, për shkak të flakëve.
Referuar të dhënave fillestare, ka shenja se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme. Azili ka licencë të vlefshme pune dhe plotësonte kërkesat për mbrojtje nga zjarri. Për të gjithë të evakuarit është siguruar strehim i menjëhershëm.
Luka Qaushiç, i cili drejton Departamentin për Situatat Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i tha RTS-së se në shtëpinë e të moshuarve gjendeshin 30 persona.
Shtatë të lënduar u morën me autoambulanca dhe u dërguan në Akademinë Mjekësore Ushtarake e në Qendrën e Urgjencave.
Një numër i madh zjarrfikësish dhe makinash zjarrfikëse u angazhuan duke ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
Ende janë duke kërkuar nëse mund të ketë një burim të mbetur që mund të shkaktojë ndonjë zjarr të ri, ndërsa shkaku do të përcaktohet në orët në vijim. Azili ndodhet larg rrugëve të frekuentuara, por zjarrfikësit shkuan me shpejtësi në vendngjarje dhe të lënduarve iu ofrua ndihma e parë pa humbur kohë.
Barajeva është një nga 17 komunat e Beogradit dhe ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të qendrës së kryeqytetit serb.