Zjarret që kanë shpërthyer përreth Los Anxhelosit janë përhapur edhe në Hollivud Hills. Nga kjo fatkeqësi natyrore, 5 persona kanë humbur jetën dhe u shkatërruan qindra shtëpi. Më shumë se 100 mijë vetë janë urdhëruar që të evakuohen teksa erërat e fuqishme po pengojnë punën e zjarrfikësve për të lokalizuar e shuar flakët.
Aktualisht, në Los Anxhelos numërohen të paktën gjashtë vatra aktive zjarri. Katër prej tyre janë plotësisht jashtë kontrollit. Departamenti i zjarrfikësve lëshoi urdhra për evakuimin e banorëve nga zonat Hollivud Bulevard në jug, në Mulholland Drive në veri, në autostradën 101 në lindje e deri në Lauren Kanion Bulevard, në perëndim. Aty gjendet Teatri Dobly, ku mbahet ceremonia e çmimeve Oscar.
Nominimet e planifikuara të zhvilloheshin javën e ardhshme, u shtynë me dy ditë për shkak të zjarrit, siç njoftuan organizatorët.
Në pjesën perëndimore të Los Anxhelosit, autoritetet raportuan se janë djegur 6.406 hektarë dhe qindra struktura. Në lindje u shkrumbuan 4.289 ha, 1.000 objekte dhe gjetën vdekjen të paktën pesë persona, siç bënë të ditur zyrtarët.
Tre vetë u arrestuan për vjedhje.
Dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe humbjet në ekonomi vlerësohet të jenë miliarda dollarë.
Ne po përballemi me një fatkeqësi natyrore të përmasave historike, tha drejtori i menaxhimit të emergjencave në Los Anxhelos, Kevin McGowan.
Edhe pse parashikuesit e motit tregojnë se fuqia e erërave do të bjerë, kushtet e rrezikshme atmosferike pritet të vazhdojnë deri nesër. Pothuajse 300 mijë shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike në Los Anxhelos e shkollat janë të mbyllura. Përmasat e zjarreve bënë që zjarrfikësit të përballen me vështirësi e të punojnë përtej kapaciteteve të tyre. Zjarrfikës nga gjashtë shtete të tjera shkuan drejt Kalifornisë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Zjarrfikësit në Los Anxhelos thanë se tani po përballen edhe me mungesë të ujit, teksa vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e vatrave.
Presidenti amerikan, Joe Biden i shpalli zjarret si fatkeqësi të madhe. Në ditët e tij të fundit si president i SHBA-ve, Biden anuloi një udhëtim për në Itali, që të përqendrohet në drejtimin e përgjigjes të institucioneve federale në shuarjen e zjarreve, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po bëjnë që pasoja të motit ekstrem të jenë më të shpeshta, më intensive e të zgjasin më shumë.