Zjarri që dje ra në kurorën e Elbasanit, në Kodrën e Krastës pati si shkak ndezjen e qirinjve nga besimtarët në vendin e shenjtë që ndodhet në zonë. Ky është konkluzioni i ekspertëve piroteknikë e zjarrfikësve pas shqyrtimit të vatrës. Ndërkaq, flakët u shuan edhe me ndërhyrjen e forcave të Ministrisë së Mbrojtjes pasditen e djeshme. Dyshohet se një prej qirinjve mund të jetë rrëzuar ose prej erës, një shkëndijë i vuri zjarrin “mushkërive” të Elbasanit. Sipërfaqe të konsiderueshme me pyll pishash e shkurresh u dëmtuan nga flakët, por për fat të mirë u parandalua në kohë përhapja e tyre.
Njoftimi zyrtar policor:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ditën e djeshme, në lagjen “Emin Matraxhiu”, dyshohet se pas ndezjes së qirinjve në një vend të shenjtë në Krastë, aksidentalisht është djegur një sipërfaqe toke pyjore, raportoi policia vendore pas hetimeve paraprake.
Sot (18 qershor), specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D.M., 48 vjeç, pasi akuzohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa barishte dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është shkrumbuar një sipërfaqe toke.
Zjarret janë shqetësim në rritje sidomos në stinën e verës. Vendgrumbullimi i mbetjeve në fshatin Moravë të Beratit u përfshi nga flakët. Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet zjarrëfikëse, që i lokalizuan me shpejtësi duke shuar zjarrin. Kur shkuan në vendin e zjarrit, zjarrëfikësit gjetën edhe piromanin Ylli Metani, i cili u kap duke tentuar t’i vinte zjarrin pikave të ndryshme. U njoftua menjëherë policia që e arrestoi dhe e shoqëroi në ambjentet e Komisariatit të Policisë Berat.