Rajoni

Zoran Milanoviç rizgjidhet president i Kroacisë!

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka siguruar një mandat të dytë si president, me avantazh të dukshëm në balotazh, sipas komisionit zgjedhor. Referyar rezultateve paraprake, socialdemokrati siguroi 75% të votave, ndërsa rivali i tij, Dragan Primoraç, 25%.  Milanoviç kryesoi edhe në raundin, më 29 dhjetor të vitit të kaluar, me 49%. Nëse do të merrte mbi 50%, nuk ka dyshime se do ta kishte fituar garën menjëherë. I mbështetur nga partia konservatore në pushtet HDZ, Primoraç mori më pak se 20% të votave.

Nga viti 2011 deri më 2016-ën, Milanović ishte edhe kryeministër i Kroacisë, vendit anëtar të Bashkimit Europian që nga 2013-ta. Gjatë pesë viteve të tij në detyrë, platforma e Milanoviçit pati ndikim jo vetëm te votuesit e majtë, por edhe te ata të krahut të djathtë e të ekstremit të djathtë në vendin ballkanik me 3,8 milion banorë.

Kroaci, faleminderit, tha Milanoviç para gazetarëve. Kjo është një ditë e madhe për mua personalisht. Këtë fitore e shoh si njohje për punën time, një lloj besimi i popullit te unë.

Roli i presidentit në Kroaci është kryesisht ceremonial. Kryetari i shtetit nuk mund të vërë veto ndaj ligjeve, por ka fjalën e tij në politikat e jashtme dhe në çështjet e sigurisë e të mbrojtjes. Gjatë mandatit të tij, Milanoviç e ka kundërshtuar kryeministrin Andrej Plenkoviç në lidhje me politikat e jashtme e publike po ashtu.

Kush është Zoran Milanoviç?

I parë shpesh si gjaknxehtë dhe arrogant, vitet e fundit, Zoran Milanoviç ka përdorur gjithnjë e më shumë retorikë populiste dhe shpesh fyese për të kritikuar Bashkimin Europian dhe zyrtarët kroatë. I diplomuar në Drejtësi, ai ka qenë një nga figurat më dominuese në politikën e Kroacisë për gati dy dekada. Fillimisht ka qenë diplomat karriere në Ministrinë e Jashtme gjatë luftës së Kroacisë për pavarësi në vitet 1990 dhe më vonë ka shërbyer në misionin e Zagrebit në Bashkimin Europian e në NATO, në Bruksel. Milanoviç është i martuar dhe baba i dy djemve.