Tech Top Tech - News

Zuckerberg s’ndalet! Meta nxjerr “Forum”, aplikacionin e ri që me Inteligjencë Artificiale bën…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Ndërkohë që ne ende kemi hallin të kujtojmë ku kemi lënë password-in e Facebook-ut,  Meta ka nxjerrë fshehurazi një aplikacion të ri që quhet “Forum”. Dhe jo, nuk është forum si ato të viteve 2007 ku njerëzit ziheshin për Windows XP. Kjo është pak a shumë “Reddit by Meta”. Një vend ku njerëzit futen në grupe, bëjnë diskutime të thella… ose debatojnë për 3 orë pse kapucino është më e mirë se espresso.

Aplikacioni lidhet direkt me Facebook-un, merr grupet që ke, profilin, aktivitetin dhe të lejon të postosh edhe me profil anonim. Pra tani mund të ankohesh anonim në grupin e pallatit pa ta kuptuar njeri kush je. Teknologjia po ecën përpara.

Pjesa më epike? Ka edhe AI brenda. Një tab “Ask” që mbledh përgjigje nga diskutimet e grupeve. Në teori tingëllon futuriste. Në praktikë… imagjino AI-n që përpiqet të kuptojë debatet e Facebook-ut shqiptar. Roboti me siguri do thotë: “Më fikni. Nuk jam trajnuar për këtë nivel komentesh.”

Meta thotë se njerëzit duan më shumë aplikacione. Dhe sinqerisht, është fiks si ai shoku që të pyet: “Do hash?” dhe para se të përgjigjesh të sjell 20 pjata.

Ndërkohë Mark Zuckerberg paska thënë që me AI tani mund të ndërtojnë 50 aplikacione të reja. 50! Vëlla, ne mezi mbajmë hapur WhatsApp-in pa na mbaruar bateria. Meta po sillet si ai studenti që s’ka bërë detyrat… por hap biznes të ri çdo javë.