Aktualitet

“Zvërneci”, Berisha: Dënoj me forcë dhunën ndaj protestuesve!

Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi dhunën ndaj protestuesve në Zvërnec, duke e dënuar me forcë. Në deklaratën për mediat pas daljes nga SPAK-u, Berisha tha se PD-ja mbështet fuqishëm investimet e huaja në vendin tonë, duke shtuar se “dhuna nuk ishte gjë tjetër veçse një rrëmbim në duart e policisë”.

Nëse është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Një. Së dyti, nuk kam asnjë faqe, asnjë fletë, asnjë gjë të atij projekti. Megjithëse t’ju them këtu, i kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë.

Së treti, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Dhe kjo parti në pushtet, ja këtë tani ju kërkoj ta mbani shënim, ka patur një ligj. Një ligj i cili zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë.

Cili ishte ligji? Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut. Ja u them këtu, pse u vu ky ligj?

U vu ky ligj sepse konstatoja që me investitorë shqiptarë nuk ndodhte, kurse me investitorë të huaj vraponin pas pengmarrjes. Dhe informacionet që më vinin, dilte njëri e i thoshte jo, do paguash kaq se jam unë kaq. Dhe kjo linte vendin pa investime.

Unë do t’i dal zot dhe do të mbaj përgjegjësi. Dhe në qoftë se ty pronar, të kanë shkelur të drejtën e pronës dhe janë firmosur dokumente mbi të, përgjegjësia është e shtetit. Dhe ai që ka bërë këtë do mbajë përgjegjësi dhe shteti do të përgjigjet ty me vlerë tregu. Është ligji që detyron shtetin me vlerë tregu.

Dhe do t’ju them një gjë, që kur doli ai ligj e gjersa lamë pushtetin, ka pasur zero probleme. Dilte një njeri, po i thoshte ku e ke, në qoftë se faktonte, e bënte, i përgjigjej shtetit.

Këto janë qëndrimet pra, ne jemi shumë respektues për çështjen e pronësisë, por jemi mbështetës absolut të investimeve të huaja dhe gjatë periudhës tonë ju nuk keni parë pronar të protestojë ndaj një protestuesi të huaj se po më rrëmben tokën.

Jo. Ishte shteti që në qoftë se kishte firmosur, do t’i përgjigjej njëlloj sikur i kishte marrë ai tokën, me vlerë tregu.