Aktualitet Lajmet e fundit

Zyrtari amerikan takim me Dumanin, Ambasada e SHBA: Vendosi standardin! Ja kush e zëvendëson!

Në ditët e tij të fundit të detyrë, kreu i SPAK Altin Dumani është takuar me zëvendësdrejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore në Departamentin Amerikan të shtetit, Lyn Debevoise.  Sipas një postimi të Ambasadës Amerikanë në Tiranë, përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, bashkëpunim që amerikanët shpresojnë të vijojë edhe me pasardhësin e Dumanit.

Nesër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë drejtuesin e ri të SPAK. Pak ditë më parë, KLP miratoi listën me katër kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodjan Braho.

Katër kandidatët që kanë kaluar filtrat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të paraqiten para anëtarëve të KLP-së, ku do të prezantojnë platformat e tyre dhe më pas do t’i nënshtrohen intervistimit.

Pas intervistave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të zhvillojë procesin e votimit, i cili do të vendosë se kush prej tyre do të marrë drejtimin e SPAK-ut për mandatin e ardhshëm.

Kush janë 4 kandidatët?

Adnan Xholi është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.

Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin  2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme.

Një nga prokurorët me përvojë në këtë garë është edhe Elvin Gokaj, i cili ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë.

Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime  ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor.