Dy zjarret më të mëdhenj që kanë përfshirë ndonjëherë Los Anxhelosin në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar 10 vdekje shkatërruan të paktën 10 mijë shtëpi, ndërtesa e struktura të tjera. Flakët kanë përfshirë edhe zonën perëndimore të Los Anxhelosit e janë më masivet e shënuara ndonjëherë atje. Numri i viktimave nga zjarret u rrit nga 7 në 10. Në një konferencë për shtyp, sherifi i Qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna, paralajmëroi se bilanci pritet të rëndohet.
Duket sikur një bombë atomike ka rënë në këto zona. Nuk presim lajme të mira dhe nuk po i presim me padurim ato shifra.
Zjarret që shpërthyen këtë javë në Los Anxhelos kanë përfshirë një hapësirë prej 40-kilometrash në veri të qendrës së qytetit, duke nxitur një ndjesi frike e trishtimi. Qeveria amerikane ende nuk ka dalë me shifra për koston e dëmeve të shkaktuara apo për numrin e strukturave të shkatërruara.
AccuteWeather, një kompani private që ofron të dhëna për motin dhe ndikimin e tij, raportoi se dëmet dhe humbjet ekonomike kanë shkuar në 135 deri në 150 miliardë dollarë.
Zjarrfikësit bënë përparime të mëdha për të ngadalësuar përhapjen e zjarreve, por frenimi i tyre mbetet i vështirë. Zyrtarët ende nuk e dinë se çfarë i ka shkaktuar zjarret dhe thonë se janë duke hetuar.
Evakuime, mbyllje shkollash dhe arrestime
Të paktën 180 mijë njerëz janë urdhëruar të evakuohen, ndërsa zjarret përfshinë rreth 117 kilometra katrorë territor. Zjarri në Palisades tashmë është më shkatërruesi në historinë e Los Anxhelosit. Të gjitha shkollat në Distriktin Shkollor të Bashkuar të Los Anxhelosit, i dyti më i madhi në vend, sot do të qëndrojnë të mbyllura për shkak të tymit të madh që ka mbuluar qytetin dhe hirit në disa zona.
Mësimi nuk do të rifillojë derisa të përmirësohen kushtet. Të paktën 20 vetë janë arrestuar për plaçkitje dhe qyteti i Santa Monikës ka shpallur orë policore për shkak të mosrespektimit të ligjit, njoftuan zyrtarët.
Trupat e Gardës Kombëtare shkuan në Los Anxhelos dje në mbrëmje. Sherifi i qarkut tha se për t’i mbrojtur pronat, ato do të vendosen pranë zonave të shkatërruara nga zjarri dhe pritet që ora policore të hyjë në fuqi nga ora 18:00 deri më 06:00.